Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë pune në Fier, ku mbajti një takim me drejtuesit vendorë dhe deputetët e qarkut, në kuadër të nismës për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjatë fjalës së tij, Rama i bëri thirrje institucioneve vendore dhe drejtuesve të bashkive që të veprojnë me vendosmëri për çlirimin e territoreve urbane nga zaptimet private dhe ndërtimet pa leje. Ai paralajmëroi masa të rrepta ndaj atyre që shpërfillin detyrimet ligjore dhe pengojnë procesin.

“Çdo zaptim i hapësirës publike është abuzim me të drejtën e qytetarëve për të pasur ambiente të lira dhe funksionale. Kjo nismë nuk është fushatë, por detyrim i përhershëm institucional”, tha Rama.

Në takim morën pjesë gjithashtu ministrja Belinda Balluku, drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera që do të jenë pjesë e këtij operacioni në terren.

Pas mbledhjes, kryeministri vizitoi disa zona në Fier ku kanë nisur punimet për lirimin e hapësirave të zëna padrejtësisht.

Fushata për lirimin e hapësirave publike është shtrirë këtë sezon veror përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, si dhe në qendrat urbane të qyteteve kryesore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu