
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare, ku u shpërndanë medalje dhe shpërblime për forcat e angazhuara në luftën ndaj zjarreve që prekën vendin gjatë dy muajve të fundit.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se zjarrfikësit dhe efektivët që iu përgjigjën emergjencës kanë treguar përkushtim, sakrificë dhe heroizëm që nderojnë shtetin dhe republikën. Ai theksoi se:
“Beteja me zjarret ishte një kronikë dramatike, por me nota stërmundimi dhe heroizmi njerëzor që lartësojnë Shqipërinë.”
Kritika ndaj drejtësisë
Rama akuzoi gjyqtarët se kanë marrë vendime në favor të zjarrvënësve, duke i cilësuar “ububushme” dhe të papranueshme. Ai bëri të ditur se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të përcjellë në organet drejtuese të gjyqësorit rastet e gjyqtarëve që, sipas tij, kanë përqeshur sakrificat e forcave të angazhuara.
“Do të vendosim përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo gjykatës apo prokuror që shkel interesin e vendit duke favorizuar zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të pasurive publike,” tha Rama.
Për flotën ajrore zjarrfikëse
Kryeministri foli edhe për debatin mbi mungesën e avionëve zjarrfikës në Shqipëri. Sipas tij, avionët nuk janë “magjistarë” dhe nuk kanë fuqi të ndalojnë çdo zjarr. Rama njoftoi se flota shqiptare do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës, por theksoi se “sot është koha për të vlerësuar sakrificën në tokë”.
Shembujt e heroizmit
Rama përmendi rastin e komisar Agim Trocit, i cili u plagos në përballjen me flakët në Delvinë, më 25 korrik. Ai vlerësoi gjithashtu kolonel Gëzim Markun, zjarrfikësin nga Bulqiza dhe komandantin Ervin Buzi, duke i cilësuar si shembuj të jashtëzakonshëm të vetëmohimit.
“Kronika e zjarreve të kësaj vere mund të vazhdojë të rrëfehet gjatë, por mbi të gjitha, ajo është histori sakrifice që nderon Shqipërinë,” tha Rama.