PRIEN AM CHIEMSEE – Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim emocional dhe filozofik në hapjen e festivalit prestigjioz “Herrenchiemsee Festspiele” në Bavari, ku ishte i ftuar nderi nga qeveria e landit gjerman për të adresuar temën e Europës në një moment të ndjeshëm për kontinentin.

Fjalimi i tij, i mbajtur në ambientet e pallatit të famshëm Herrenchiemsee – një simbol i ëndrrës estetike të mbretit Ludvig II të Bavarisë – shpalosi një vizion për Europën si një projekt shpirtëror, kulturor dhe historik, përtej burokracive dhe monedhave.

“Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Një mënyrë për të besuar, siç besonte Ludvigu, se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por një mënyrë të jetuari”, – u shpreh Rama.

Ai bëri krahasime mes izolimit të Shqipërisë në të kaluarën dhe transformimit të saj në një vend të hapur e të lidhur kulturorisht me botën, duke kujtuar edhe gjeste historike të harruara, si vizita e Franz Josef Strauss në Shqipërinë komuniste në vitin 1984, e cila, sipas tij, ishte një dorë e shtrirë ndaj një populli që ende nuk e njihte Europën.

“Bavaria qëndroi e hapur kur Shqipëria ishte e mbyllur. Tani Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse,” – tha Rama.

Duke iu referuar simbolikës së vendit dhe festivalit, Rama e quajti atë “një mbledhje rezistence ndaj cinizmit që e mpak Europën vetëm në burokraci” dhe theksoi se begatia pa poezi është e zbrazët, pushteti pa kujtesë është i verbër.

Fjalimi i Ramës u prit me vlerësim të lartë nga audienca e festivalit, ku çdo vit një personalitet ndërkombëtar ftohet për të reflektuar mbi çështje të rëndësishme europiane. Ai falënderoi veçanërisht Kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, për mikpritjen dhe respektin ndaj larminë europiane.

Në fund, Rama i dha një mesazh të fortë politik dhe njerëzor Europës:

“Le të jemi siç ishte Ludvigu, pak të çmendur, të paktën një grimë. Të marrë deri aty sa të besojmë në bukuri. Të çmendur mjaft aq sa ta bëjmë bukurinë sërish zemrën e Europës.”

Ceremonia e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele” shënon jo vetëm një ngjarje të rëndësishme kulturore, por edhe një rast të rrallë ku një lider ballkanik adreson elitën politike dhe artistike gjermane në zemër të Europës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu