Kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në SHBA mori pjesë në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e dhënë nga Shqipëria për strehimin dhe mbrojtjen e Hebrenjve.
Në fjalën e tij Kryeministri Rama veçoi unitetin mes komuniteteve fetare, si një bekim që vendi ynë gëzon, e që tashmë tha ai është i rrënjosur në ADN-në tonë.
“Dua të theksoj një detaj që do ta bëjë më të lehtë pjesën e dytë të fjalës sime. Mes të tjerave, z. Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë.Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi. Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm. Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare nuk është një shfaqje për publikun; është i rrënjosur në ADN-në tonë. Ai pasqyron një “mirëkuptim” dhe “mirëqenie” fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar, një bekim që e gëzojmë”, shprehet ndër të tjera Rama.
Rama theksoi se terroristët kanë monumentet, por kurrë nuk duhet të kenë fitoret e tyre.
“Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori, por nuk duhet të kenë kurrë fitore kundër njerëzimit tonë të përbashkët. Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë shumë prej atyre që e quajnë Gazën burg në ajër të pastër është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.”
Ndër të tjera Kryeministri Rama u ndal edhe tek ndihma që ka dhënë Shqipëria ndaj afganëve të cilët u strehuan në vendin tonë.
Rama thotë se aktualisht Shqipëria ndodhet në nivelet e saj më të larta në arenën ndërkombëtare, ndërsa reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, sollën një drejtësi të re dhe rritën nivelin e turizmit.
Ndërkohë në aktivitetin e OKB-së kreu i qeverisë u nderua për lidershipin në luftën kundër antisemitizmit./klan
Fjalimi i plote:
Është nder i jashtëzakonshëm të qëndroj këtu përpara jush, drejtuesve të Komunitetit Ndërkombëtar Hebre, mes të cilëve shoh miq të çmuar të mitë dhe të vendit tim.
Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit.
U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan.
Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit:
Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koeanoverior në mes të Europës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”.
Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre.
Ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Meqë ra fjala, u gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë.
Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”.
Po, shpirti triumfon ngaherë.
Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë.
Ka një histori të thellë që lidh dy popujt tanë. Sigurisht, kapitulli më i njohur është Holokausti, kur Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur njëzet fish. Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës –fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose një famijeje tjetër dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi.
Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e e vogël e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë.
Të dashur miq,
Ndërsa shkruaja këtë fjalë, që e ndjeja po aq një privilegj i veçantë, sa edhe barrë të madhe përgjegjësie, u përpoqa t’i rri besnik traditës hebreje: të nisja me nota disi më të trishta, për ta përmbyllur më pas me nota të gëzueshme shprese e besimi.
Por, përpara se të trajtoj çështjet komplekse që më janë “ngarkuar”, më lini të ndalem një moment për të çmuar këtë “Sukkah” që keni ngritur rreth meje sot.
Kam një ndjesi jashtëzakonisht të veçantë për marrjen e këtij nderi dhe nuk jam aspak i sigurt se mund ta marr për vete, por jam 100% i sigurt se mundem ta marr si nderim për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, që është treguar e mirë me hebrenjtë qysh në fillim të kohërave.
Talmudi thotë: “Çfarë vjen prej zemre shkon drejt e në zemër”. Kjo është ngrohtësia dhe afërsia që ndjej sot thellësisht me këtë përfaqësim të vogël e të mrekullueshëm të komunitetit të madh hebre.
Todah rabah të gjithëve ju.
Faleminderit! Përulem para jush me mirënjohje.
E di, natyrisht, që protokollet e pafolura kërkojnë që kur një udhëheqës merr një dhuratë a një nderim, duhet ta zvogëlojë ca veten e t’ia dedikojë popullit të tij, por, më besoni, nuk është aspak kështu kur them se pa popullin shqiptar, trashëgiminë tonë të artë dhe religjionin e mikpritjes shqiptare, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur.
Megjithatë, unë s’jam një udhëheqës tradicional ose, së paku, shpresoj të mos jam bërë i tillë, ndaj më duhet të shtoj me sinqeritet të plotë se, po, jam vërtet i lumtur edhe në nivel personal që marr këtë çmim.
Si ithtar i vërtetë i idesë se të jesh udhëheqës nuk duhet të të pengojë të thuash atë që mendon, besoj se Elie Wiesel kishte të drejtë kur thoshte se nuk ka rastësi në historinë e popullit hebre.
Prania ime këtu dhe marrëdhënia kohëgjatë midis vendeve tona sigurisht që nuk janë rastësi. Tani, për ta thënë deri në fund, modestia nuk është pika ime e fortë, por premtoj se kjo është gjithçka do dëgjoni për mua sonte.
Prej këtej e në vazhdim, më lejoni të flas për ne, me shpresën që, siç thotë edhe Rabini i Lartë, Jonathan Sacks: “Kur kalojmë nga politika e “Unit” te politika e “Ne”, rizbulojmë ato të vërteta kundërintuitive që ndryshojnë jetën”.
Të vërtetat që një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit, se ai pasurohet kur kujdeset për të varfrit dhe se bëhet i pacenueshëm kur kujdeset për të cenuarit janë absolutisht thelbësore, por do të doja të zbuloja këtu edhe fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij.
Përveç çmimit, ajo që më jep krenari sot është ngrohtësia e miqësisë që ndjej këtu mes jush — që, pa asnjë dyshim, është reciproke.
Ky ishte natyrisht edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë. Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë, që të mos bjerë pre e përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore.
Dua të theksoj një detaj që do ta bëjë më të lehtë pjesën e dytë të fjalës sime. Mes të tjerave, z. Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë.
Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi.
Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm.
Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare nuk është një shfaqje për publikun; është i rrënjosur në ADN-në tonë.
Ai pasqyron një “mirëkuptim” dhe “mirëqenie” fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar – një bekim që e gëzojmë.
Shqipëria ka qenë gjithmonë kështu dhe kjo shpjegon edhe faktin pse kemi qenë të aftë të zbatojmë politika paqeje, dialogu dhe tolerance me fqinjët tanë dhe pakicat brenda territorit tonë, të cilat kurrë nuk kanë vuajtur nga ndonjë lloj diskriminimi etnik.
Shqipëria qe vendi i parë në Europë, që, në vitin 1932, kur antisemitizmi ishte në rritje, njohu me ligj të drejtën e komunitetit hebre për të kremtuar Sabatin.
Gjatë Holokaustit, kur udhëheqësi nazist, Hermann Neubacher, thirri krerët fetarë e politikë në vitin 1943, në Berlin, për të kërkuar një listë të hebrenjve dhe floririn e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën: “Floririn mund ta merrni, ata jo”. Edhe disa seanca negociatash nuk i bënë të ndërronin mendje: “Floriri është i juaji, merreni, hebrenjtë janë tanët e do t’i mbrojmë!”
Vazhdojmë të jemi kështu edhe sot.
Më treguan një histori të shkruar të një studiues i ri hebre, i quajtur Theo Canter, i cili kish vizituar së fundmi Muzeun e Solomonit në qytetin e lashtë të Beratit, trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO. “Këtu, isha ai hebreu greko-polak që mbante në kokë një kippah, në një kishë të vjetër shekullore bizantine, në vendin më mysliman të Europës, me islamin më laik dhe, ndoshta, në vendin më tolerant në botë. Dhe u ndjeva më i sigurt kur ecja rrugës atje, sesa në rrugët e vendit tim. Një rilindje post-komuniste me një prekje hebreje”, thoshte ai.
I jam kthyer shumë herë historië sot, por ajo çfarë e ka drejtuar punën në postin që mbaj e që më ka sjellë këtu, është pikërisht përjashtimi i historisë nga e gjithë politika dhe politikat e qeverisë sime.
Në vitin 2014, kur u bëra Kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Beogradin pas 68 vjetësh, më vunë lloj-soj emrash, mes të cilave, ai i tradhtarit ishte më i buti.
Megjithatë, kurrë nuk do të heq dorë nga bindja se që Shqipëria të rritet e begatohet si komb krenar e që të jetë një shtet i vogël model, është thelbësore që të shohë e të mësojë nga e shkuara me sytë e së ardhmes dhe të mos e lejojë kurrën e kurrës parafytyrimin e të ardhmes me sytë e së shkuarës.
Zonja e zotërinj,
Të dashur miq,
Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për elefantin në këtë dhomë. Nuk është e lehtë të zhvillosh një takim të tillë në sfondin e dhimbjes dhe vuajtjes së pamasë që sulmi masivisht vrastar i 7 tetorit i solli popullit të Izraelit, por edhe dhimbjen e vuajtjen e pamasë që lufta në Gaza po iu shkakton shumë palestinezëve të pafajshëm.
E di, do të qe shumë më e lehtë ta linim mënjanë elefantin sesa të përpiqeshim të qëmtonim e nxirrnim nga ky sfond një mendim të vërtetë që i jep Çezarit ç’i takon Çezarit e i jep Zotit çfarë i takon Zotit, pa lënduar ndjenjat e askujt.
Megjithatë, më lini të citoj edhe njëherë Rabinin Sacks: “Terrori dështon dhe do të dështojë përherë, sepse nxit thellë brenda nesh instinktin e jetës”.
Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese, pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne, që të mos jemi të bashkuar për ta përcaktuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët.
Të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm të synosh diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke i njohur terroristët si palë legjitime që duhet zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur.
Ka një histori në librat e shenjtë. Njëherë, një luaneshë doli shëtitje me këlyshin e saj për t’i faktet e jetës së luanëve. Nëna tha: “Ne, luanët, jemi mbretërit e botës së kafshëve dhe mund të mposhtim çdo krijesë tjetër. Edhe qeniet njerëzore janë në mëshirën tonë. Kurrë nuk duhet të kesh frikë askënd”. Ndërsa vazhdonin shëtitjen, kaluan bri një monumenti që shfaqte Samsonin i cili shqyente një luan. “Nënë, – ia beh këlyshi i tronditur, – a nuk më the që ne mund të vëmë poshtë edhe njerëzit dhe që nuk duhet të kemi frikë kurrë?” “Po”, ia priti ajo, – dhe monumenti e provon këtë gjë. Nëse kjo do të ndodhte rëndom, nuk do t’i kishin ngritur monument!”
Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori… Por ata kurrë nuk duhet të kenë fitore të tyret kundër njerëzimit tonë të përbashkët.
Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojnë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë atyre që e quajnë Gazën një burg në qiell të hapur është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.
Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur demokratikisht e cila, në vend se të synonte me ngulm shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të vet përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thosha se Izraeli është krejt gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza, e kam të pamundur t’i jap edhe fijen më të hollë të mundësisë së besimit Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet. Në luftën e Hamasit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa në luftën e ISIS-it apo të nazizmit.
Për fat të keq, asnjë nuk e ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa ushtrimin e forcës dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka e tmerrshme që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.
Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin. Po kështu, ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen përmes dy shteteve, si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë “jashtë loje” dhe të krijohet një përfaqësim të besueshëm politik i palës palestineze, i mbështetur nga të gjitha vendet arabe.
Nga ana tjetër, jam krejt i vetëdijshëm se gjithë fjalët që themi janë ku e ku më të lehta sesa veprat, pasi nuk ka dyshim se të luftosh terrorizmin në front është shumë më e vështirë sesa t’u bësh leksione luftëtarëve nga larg, ndërkohë që pengjet e pafajshme në duart e xhelatëve nuk janë njerëzit e tu, por qytetarët e një vendi të cilit historia i ka mësuar në mënyrën më të egër se kur armiku merr jetën e një njeriu të vetëm për shkak të kombësisë, jeta e gjithë kombit është në rrezik.
Në këtë luftë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër antisemitizmit, radikalizmit dhe të gjithë të këqijave të botës ku jetojmë, Shqipëria qëndron e vendosur krah gjithë atyre që nuk janë gati të harrojnë mësimet e rënda të historisë dhe as të jetojnë nga e para një të kaluar që i ka kushtuar dhimbjet më të tmerrshme njerëzimit.
Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të jesh thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kanë nevojë për ndihmën tënde. Me çfarëdo çmimi.
Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liberty” në Irak, ku sulmoheshin e iu merrej jeta nga vrasësit e Teheranit.
Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne paguam një çmim të shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua në një agresion kibernetik masiv kundër Shqipërisë, i cili synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike.
Po ne nuk u hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare të gdhendur në shpirtin tonë si komb.
U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përzënë personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet ta flejë mendjen, se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, ne nuk i inkurajojmë miqtë e strehuar tek ne në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë.
Së fundi, u desh t’u hapnim dyert edhe mijëra afganëve, jetët e të cilëve u gjendën befasisht në rrezik nga rënia e Kabulit.
Ishte vërtet e sikletshme të shihje si më të mëdhenjtë e të pasurit mes anëtarëve europianë të NATO iu shmangën detyrimit më të natyrshëm njerëzor për t’i shpëtuar ata pasi ne lamë vendin e tyre.
Ata i besuan ëndrrës që iu shitëm me plot fjalë të bukura, liri, demokraci, të drejtat e grave, media e lirë e kështu me radhe dhe u ekspozuan me gjithë zemër duke punuar me ne në Afganistan si qytetarë të lirë dhe për ne si shoferë, pastrues, përkthyes, teknikë. Por, befas, ne ndryshuam mendje. I lamë armiqtë e tyre të rimerrnin pushtetin dhe premtimet tona të bukura nuk kishin më asnjë vlerë në errësirën e vetmisë së tyre tmerruese.
Në fakt, nuk i takon Shqipërisë të thotë nëse duhej të qëndronim apo të iknim. Jemi shumë të vegjël për vendimet e mëdha të aleancës sonë. Por shpirtin e kemi shumë të madh për të mos e parë dëshpërimin e atyre afganëve si dëshpërimin tonë kur ishim nën sundimin e talebanëve tanë të kuq.
Kështu, në bashkëpunim me një sërë organizatash humanitare në Shtetet e Bashkuara dhe me ndihmën e Departamentit të Shtetit, i strehuam dhe iu dhamë shansin të nisnin një jetë të re, në vend se të ekzekutoheshin apo të harroheshin deri në vdekje në burgjet e ferrit të talebanëve. Dhe jemi shumë krenarë kur shohim që ata marrin frymë lirisht këtu, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe edhe në Shqipëri.
Shqipëria qëndron sot në skenën botërore krenare pas kalimit nga një e shkuar e errët diktatoriale në një rrugëtim të gjatë tranzicioni, gjatë të cilit kemi vuajtur shumë paragjykime nga bota jashtë nën damkën e kriminelëve të varfër.
Transformimi i vendit tonë përmes një reforme rrënjësisht të fortë por të nevojshme të drejtësisë dhe lulëzimit të turizmit, me nivelin tonë të lartë të sigurisë dhe rolet tona në Këshillin e Sigurimit, në krye të OSBE-së dhe në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, flet vetë.
Ne kemi gjetur zërin tonë në rajon – një zë të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë. Por meraku im është të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm.
Ne duam miqësi më të forta me të gjithë miqtë tanë të natyrshëm.
Aleatët tanë strategjikë janë ShBA-ja dhe BE-ja, e cila është bekimi i rajonit tonë, që, në të kundërt, do të duhej ta harronte shtetndërtimin demokratik dhe prosperitetin.
Ne kemi partneritete strategjike me Italinë, Turqinë dhe Greqinë.
Ne duam lidhje më të forta me Izraelin.
Ne duam partneritete më të forta me botën arabe dhe kemi forcuar shumë partneritetin tona me Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend mjaft frymëzues me një udhëheqës progresiv vizionar paqedashës që vjen vetëm njëherë në jetë dhe, po ashtu, me Arabinë Saudite, shtysa për reforma e së cilës dhe kërkimi i progresit nën drejtimin e një udhëheqësi tjetër vizionar na ka afruar shumë më tepër se më parë.
Ne nuk duam konflikte apo mërira nacionaliste në rajon.
Ne synojmë të promovojmë jo vetëm me fjalë, por me shembullin tonë, vetëm paqen, bashkëpunimin rajonal dhe gjithnjë dialogun në vend të shfaqjes së muskujve.
Kam një mësim nga gjyshja ime që më kumbon gjithnjë në vesh: “Fqinj i gëzuar, shtëpi e gëzuar”.
Besoj se nëse mendojmë se Zoti është në anën tonë por edhe në anën tjetër, kemi mundësinë të kuptojmë që nën këtë qiell jemi të gjithë në të njëjtën anë: anën e njerëzimit.
Fakti që shkruajti se “Madhështia e njeriut nuk gjendet te pasuria apo pushteti, por te karakteri e mirësia” dhe se “të gjithë ne kemi lindur të mirë në thelb”, nuk ia shpëtoi jetën Ana Frankut. Por, siç thekson Simon Wiesenthal, “që e keqja të lulëzojë, duhet vetëm që njeriu i mirë të rri pa bërë asgjë”.
Rosh Hashanah—Viti i Ri hebre—një kohë për reflektim, ripërtëritje dhe fillime të reja po afrohet me shpejtësi.
Është një kujtesë se edhe përballë vështirësisë dhe turbullirave ka gjithnjë mundësi për t’ia nisur nga e para.
Rosh Hashanah na mëson se e shkuara nuk na e përcakton të ardhmen; në të kundërt, na kërkon të përqafojmë premtimin e asaj çka vjen me shpresë dhe vendosmëri.
Ashtu si tingulli i Shofarit zgjon shpirtin brenda nesh, ashtu edhe ky moment le të zgjojë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një botë ku paqja, toleranca dhe mirëkuptimi nuk janë thjesht aspirata, por realiteti që krijojmë në mënyrë aktive.
Edhe njëherë, falemnderit që ishit pika e shndritshme e një udhëtimi tjetërsoj të zymtë për të Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.