
Kryeministri Edi Rama njoftoi se ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili, do të marrë edhe rolin e zëdhënëses së qeverisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama bëri të ditur se Ismaili do të zhvillojë takime informuese të përjavshme me gazetarët, të cilat do të mbahen pa praninë e kamerave dhe do të kenë si qëllim dhënien e informacioneve mbi çështjet e qeverisë.
“Jam këtu së bashku me Ministren për Marrëdhënien me Parlamentin, e cila do të mbulojë dhe zëdhënien e qeverisë dhe në mënyrë të përjavshme do të bëjë me ju, një takim informues pa kamera, thjesht për t’ju dhënë të gjitha informacionet e nevojshme për pyetjet që mund të keni dhe natyrisht ju jeni të lirë dhe të lira që t’i publikoni ato informacione.”
Sipas kryeministrit, në këto takime gazetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje dhe të marrin informacionet e nevojshme, ndërsa do të jenë të lirë që më pas t’i publikojnë ato.



