
Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të një kryeministri britanik në Shqipëri. Vizita vjen në vigjilje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Rama vlerësoi bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale, duke theksuar:
“Në vitin 2024, numri i shqiptarëve që kanë hyrë ilegalisht në Britani është ulur në disa qindra, nga 12 mijë në vitin 2022.”
Ai shtoi se bashkëpunimi përmes Task-Forcës së përbashkët me autoritetet britanike ka dhënë rezultat të qartë dhe konkret.
Në vijim, Kryeministri shqiptar trajtoi edhe një çështje që prek mijëra shqiptarë të integruar prej vitesh në Britani:
“Shumë shqiptarë që janë sistemuar atje që në vitet e vështira të pasluftës kanë përdorur identitete kosovare për të marrë statusin e refugjatit. Ata sot jetojnë me dy identitete – një për shtetin britanik dhe një për Shqipërinë – dhe përballen me probleme të vazhdueshme.”
Rama kërkoi që për këtë kategori të ketë një zgjidhje dinjitoze, duke theksuar se:
“Janë qytetarë të integruar, kontribuojnë në ekonominë dhe jetën shoqërore të Britanisë me shumë dinjitet.”
Nga ana e tij, Kryeministri Starmer e cilësoi bashkëpunimin me Shqipërinë si shembull për rajonin:
“Ky është një mesazh i qartë i asaj që mund të arrihet kur dy vende punojnë ngushtë. Task-forca jonë e përbashkët ka funksionuar sepse nuk shkëmben letra, por përvesh mëngët dhe punon.”
Të dy liderët njoftuan thellim të mëtejshëm të partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë. Ndër projektet konkrete, përmendet bashkëpunimi për prodhimin e automjeteve ushtarake në Shqipëri, që do të shërbejnë interesave të përbashkëta të dy vendeve.
Rama përmbylli me një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun britanik:
“Është e papranueshme që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen si problem për Britaninë. Janë mbi 100 mijë shqiptarë që kontribuojnë me ndershmëri në jetën e përditshme të Mbretërisë së Bashkuar.”