Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të martë një takim me pensionistët në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, Rama akuzoi kompanitë që nuk deklarojnë pagën reale të punonjësve, duke i cilësuar si grabitëse të fondit të pensioneve. Ai njoftoi nisjen së shpejti të një fushate kundër kompanive të ndërtimit që fshehin pagat reale të punonjësve, duke e krahasuar me fushatën kundër atyre që nuk paguanin energjinë elektrike në 2013-ën.

“Problemi ynë është që të reflektohet rritja reale e pagës në sektorin privat. Ne nuk mund ta pranojmë që një kompani ndërtimi deklaron paga nga 500 deri në 600 mijë lekë të vjetra, sepse e dimë që paga të tilla nuk ekzistojnë në këto kompani. Për këtë arsye do të ndërhyjmë! Ua kemi bërë të qartë kompanive dhe punëdhënësve që kjo është grabitje. Ne do t’u qepemi mbrapa të gjitha kompanive për t’u marrë pjesën që u takon pensionistëve, ashtu siç iu qepëm atyre që e merrnin energjinë pa e paguar. Gjysma e popullit, përfshirë dhe pensionistët, të cilët ishin paguesit më të rregullt të energjisë, paguanin dhe për gjysmën tjetër. Kjo nuk mund të funksionojë më,” tha Rama.

yacht hotel sarande

Kryeministri foli gjithashtu për pensionin minimal prej 70 mijë lekësh dhe nëse ai është i mjaftueshëm për të siguruar jetesën. Rama theksoi se pensioni social është për mbijetesë dhe shtoi se përfituesit e tij janë ata që nuk kanë punuar kurrë.

“Pensioni minimal është një pension social që e kemi vendosur ne me reformën e vitit 2014. Nga viti 1990 deri në vitin 2014 ka pasur një numër të konsiderueshëm pensionistësh që nuk kanë marrë asnjë lekë. Me 70 mijë lekë nuk jetohet, por mbijetohet. Po me asnjë lekë pension si jetohet? Ne vendosëm që asnjë i moshuar në Shqipëri të mos ishte pa një pension dhe vendosëm pensionin social, për njerëz që nuk kanë punuar asnjë ditë,” shtoi Rama./Euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu