Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, mbajti fjalën përmbyllëse në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, në hapjen e vitit të ri kuvendor, duke theksuar se ky dhe viti i ardhshëm do të jenë më të ngarkuarit në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Rama nënvizoi se numri i ligjeve që do të kalojnë për miratim do të jetë më i larti ndonjëherë, duke kërkuar rritje të orëve të punës, shtim të seancave parlamentare dhe cilësi më të lartë në procesin ligjvënës. Ai hodhi idenë e seancave të posaçme vetëm për negociatat, që sipas tij kërkojnë përqendrim dhe disiplinë, jo debate të gjata politike.

“Nga ana tjetër, dua të bëj një vlerësim të posaçëm për kryetarin e grupit. Nuk është një rol bujar, nuk të jep shumë mundësi për të gëzuar dashurinë e pandërprerë të të gjithëve, sepse është siç e tha edhe Taulanti në fakt në gjuhën angleze quhet “thupra”, pasi duhet të merret në mënyrë të veçantë me disiplinën me organizimin, me koordinimin, me prezencën e të gjitha këto me radhë dhe besoj që fakti që u rikthyem përsëri deri Taulanti për këtë rol, flet vetë për aftësinë e tij për ta bërë këtë punë dhe e falënderoj.”

Kritika për bllokimin e Kuvendit dhe rregulloren

Kryeministri u ndal edhe te sjellja e opozitës në Kuvend, duke e cilësuar të papranueshme “pengmarrjen e procedurës parlamentare” dhe goditjet ndaj dinjitetit të deputetëve. Rama paralajmëroi ndërhyrje në Rregulloren e Kuvendit, në përputhje me praktikat e parlamenteve të BE-së, për të ndalur abuzimet dhe bllokimet artificiale të seancave.

“Dhe së treti, për këtë pjesën e Kuvendit duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në kuvend diferenca është shumë e madhe. Në ndarjen e orëve të fjalës në kuvend, po të shikosh nga orët duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, që do të thotë që orët e vënë në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e Bashkimit Evropian.

 

Me këtë nuk dua të them që duhet t’i ulim orët opozitës. Me këtë dua të them që duhet të shikojmë sesi do të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikes parlamentare, duke përdorur procedurën për të marr peng, jo kuvendin, por për të marrë peng publikun për një ose dy orë, kur fillon seanca e kuvendit dhe për të pushtuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjeshtë dhe vetëm spektatorë të një teatri balte. ”

 

Diplomaci parlamentare dhe reformë administrative

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe nevoja për rritjen e diplomacisë parlamentare, veçanërisht me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, si dhe përmirësimi i administratës së Kuvendit, duke shtuar ekspertizën në funksion të negociatave.

Reforma kushtetuese dhe zvogëlimi i Kuvendit

Rama propozoi ngritjen e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100, si një reformë që sipas tij do të mirëpritej nga publiku.

Shteti sipërmarrës dhe industria ushtarake

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua modelit të “shtetit sipërmarrës”. Rama solli si shembull marrëveshjen me gjigantin italian Fincantieri, ku shteti shqiptar do të zotërojë 49% të aksioneve, duke garantuar prodhim anijesh në Shqipëri, punësim të kualifikuar dhe transferim teknologjie. Ai theksoi se Shqipëria po ndërton një industri ushtarake që prodhon në vend, për të mos rënduar buxhetin e shtetit.

Media, dezinformimi dhe televizioni publik

Kryeministri kritikoi ashpër mjedisin mediatik, duke folur për dezinformim të qëllimshëm dhe sulme politike. Ai u shpreh se Televizioni Publik Shqiptar është një dështim dhe se nuk do të marrë më fonde nga taksat e qytetarëve pa një reformë të thellë.

“Drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, ata që kanë qenë atje kur ne kemi qenë në opozitë, ata që janë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, asnjë mesazh se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më çon “shoh çfarë bën televizioni publik” unë habitem si e ndjek, por ama të gjithë i kam takuar mbasi janë zgjedhur. Dhe ju kam thënë vetëm një gjë “mbylleni”. Të njëjtën gjë ju kam thënë të gjithëve. Nxirreni në ekran “televizioni publik shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar, i kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni dhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati”. Dhe të bëjnë reformë.”

Ndërsa rezervoi kritika edhe për Ministrinë e Jashtme:

“Ministria e Jashtme është si Televizioni Shqiptar, është një tjetër dështim i madh i yni. E ua thashë, e kam thënë dhe po ua them se nuk është një gjë që nuk e dimë, nuk është një institucion në funksion të gjithë këtyre sfidave. Nuk është. Pse? Sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që u bë si reformë, nuk ishte reformë, ishte ‘’tualet’’, domethënë makijazh. Dhe ne nuk e kemi një shërbim diplomatik sot në lartësinë e sfidave të mëdha që ka bota dhe Shqipëria. Kështu që ligji duhet të jetë i tillë që të hapë rrugën për reformë, të hapë rrugën për të futur  ajrin e pastër, për të futur njerëz të rinj. Shqipëria sot ka njerëz plot, jashtë në Diasporë dhe mos harroni, do vij dhe te Diaspora, që Diaspora është pjesë e elektoratit aktiv në Shqipëri, nuk shërbejnë dot në ato përfaqësitë tona se nuk kanë statusin ‘’grata’’ e ku di unë se çfarë. Dhe ‘’gratat’’ janë ‘’marrë peng’’ nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit që as televizion nuk është ai, se ata as nuk dalin, nuk dihet kush janë, ku janë, sa janë, ça bëjnë. Unë sa herë shkoj atje në atë ministri, më duket sikur aty është ministri, sekretarja dhe ai roja që më shoqëron deri atje ndërkohë që nga muret e nga korridoret del një jehonë.”

Thirrje për koordinim dhe angazhim politik

Në mbyllje, Rama kërkoi koordinim të plotë mes deputetëve, ministrave dhe strukturave të Partisë Socialiste, si dhe angazhim në territor, në prag të sfidave politike dhe zgjedhore të vitit 2027. Ai paralajmëroi gjithashtu një nismë kombëtare kundër ndotjes plastike dhe lançimin e fushatës së re të anëtarësimeve në PS.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu