
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin “X” pas debatit publik mbi mungesën e avionëve zjarrfikës në Shqipëri. Ai thekson se zjarret e ditëve të fundit nuk mund të shpjegohen apo të zgjidhen vetëm me blerjen e një apo disa avionëve.
“Mirë do ishte t’i kishim, por duhet bërë disa llogari. Kemi këtë vit më shumë mjete nga ajri se kurrë, falë flotës sonë dhe ndihmës nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë sjell shembullin e Greqisë, e cila sipas të dhënave nga shtypi grek, ka 77 avionë zjarrfikës, rreth 20 helikopterë, 3,500 automjete dhe mijëra zjarrfikës, por gjithsesi po përballet me zjarre masive.
“Sa më shumë mjete aq më mirë, por kurimi i pasojave nuk e eliminon shkakun. Shkaqet e zjarreve janë të shumta, të ngjashme për të gjitha shtetet dhe më komplekse sesa duket kur numëron avionët,” përfundon Rama.