Në episodin e gjashtë të podkastit “Flasim – Zëdhënës malesh”, kryeministri Edi Rama ka bërë një përmbledhje të objektivave kyçe të mandatit të katërt të qeverisë, duke theksuar se prioritet mbeten rritja e pensioneve, rritja e pagave dhe avancimi i negociatave me Bashkimin Evropian.

Rama deklaroi se qeveria ka vendosur si fokus kryesor të buxhetit afatmesëm rritjen e ndjeshme të pensioneve, duke synuar që pensioni mesatar urban të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni rural minimal në 180 euro. Sipas tij, ky është një nga angazhimet më të rëndësishme të mbajtura që nga kërkimi i mandatit të katërt.

“Kryelajmi për vendosjen e pensioneve për fokusin e mandatit të 4 dhe të angazhimit financiar në buxhetin afatmesëm për të arritur objektivat ambiciozë të shpallur paraprakisht kur e kërkuam mandatin e 4. E thënë ndryshe për çuarjen e pensionit mesatar urban i plotë në 400 euro dhe të pensionit rural mesatar minimal në 180 euro”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se rritja e pensioneve shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të pagave në të gjithë sektorët. Nga janari i vitit të ardhshëm, paga minimale në sektorin publik dhe privat do të jetë 500 euro, në përputhje me ligjin që pritet të miratohet në Parlament si pjesë e buxhetit 2026.

“Po ashtu lajmi për pensionet është pasuar nga lajmi për rritjen e pagave. Një rritje e konsiderueshme dhe ajo e shtrirë në të gjithë sektorët por mbi të gjitha e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale nga janari i vitit që po troket kur paga minimale në sektorin publik dhe në atë privat, pra kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 të saksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, tha ai.

Në podkast, Rama foli edhe për përparimin e negociatave me BE, duke theksuar se më 17 nëntor pritet hapja e grup kapitujve të fundit. Ai e cilësoi këtë si një moment historik, pasi Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt e negociatave brenda 12 muajsh një ritëm që ai e quajti “unik” në proceset e integrimit evropian.

“Hapja e grup kapitujve të fundit për negociatat me BE në 17 nëntor. Një moment shumë i pritur por dhe historik me kuptim që me këtë grup kapitull hapen përfundimisht të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh. Një shpejtësi unike në procesin e të gjitha integrimeve të mëparshme evropiane. Asgjë nuk na ndal dhe kemi kapërcyer të gjitha pengesat që kishin të bënin me çeljen e të gjithë kapitujve. Tani duhet të kapërcejmë të gjitha pengesat që kanë të bëjnë me mbylljen e kapitujve por ndërkohë ekonomia rritet, pensionet dhe pagat rriten investimet vendase dhe të huaja shtohen, mbështetja për më të dobëtit dhe për pacientët me sëmundje të rënda zgjerohet ndërkohë që asnjë taksë nuk parashikohet të rritet dhe puna e institucioneve përmirësohet hap pas hapi”, tha kryeministri.

/rtsh.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu