
Kryeministri Edi Rama është larguar mbrëmjen e sotme nga ambientet e Kryeministrisë, pas një takimi që zgjati rreth shtatë orë me zv.kryeministren e pezulluar nga detyra, Belinda Balluku. Menjëherë pas largimit të tij, Rama është drejtuar për një darkë pune me komisioneren e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
Pak minuta më vonë, nga godina e qeverisë është larguar edhe Belinda Balluku, e cila kishte hyrë në zyrën e saj që në mesditë.
Takim i tensionuar në Kryeministri – Rama i kërkon dorëheqjen Ballukut
Sipas burimeve për BalkanWeb, takimi mes Ramës dhe Ballukut ka qenë i tensionuar, me debate të ashpra dhe tone të larta. Vendimi i GJKKO-së që e pezullon Ballukun nga detyra e bën të pamundur ushtrimin e funksioneve të saj si zv.kryeministre.
Mësohet se gjatë takimit, kryeministri Rama i ka kërkuar dorëheqjen, në dritën e zhvillimeve më të fundit dhe hetimeve të SPAK.
Po sipas burimeve, Balluku nuk është larguar me makinën e saj zyrtare, por me një automjet tjetër. Ajo është parë të hyjë në ambientet e qeverisë në ora 12:25, ndërsa ka dalë vetëm rreth orës 20:00.
Reagimet ndërkombëtare – Jehonë në mediat greke
Shkarkimi i saj ka tërhequr vëmendje edhe në Greqi. Sipas CNN.gr, Bashkimi Europian po i kërkon Shqipërisë “më shumë rezultate konkrete” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa rasti Balluku shihet si një provë serioze për institucionet e drejtësisë.
SPAK ngre akuza të reja – edhe tenderi i Unazës së Madhe nën hetim
Në komunikatën e sotme zyrtare, SPAK njoftoi se ka ngritur një akuzë të re ndaj Belinda Ballukut, këtë herë për tenderin e Unazës së Madhe të Tiranës, loti 4, ku dyshohet për favorizim të operatorëve ekonomikë.
Kjo akuzë vjen pas asaj të ngritur më 31 tetor për procedurat e tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë 190 milionë euro, ku Balluku akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ndërhyrje në favor të kompanisë fituese.
“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi për Tunelin e Llogarasë, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A….. Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4… Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k”, shkruhet në njoftimin e SPAK.
Në sfond: synimi për integrim në BE deri në 2030
Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, por BE ka theksuar se duhen hapa të tjerë të fortë në luftën ndaj korrupsionit. Rasti Balluku shfaqet si një prej provave më sfiduese për qeverinë në këtë drejtim.







