
Tiranë, 16 maj 2025 – Para nisjes zyrtare të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, pjesëmarrësit u surprizuan nga një video e pazakontë dhe plot humor, ku liderët e Europës shfaqeshin si “bebe” të krijuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale (AI), duke përshëndetur Shqipërinë si vendin mikpritës në gjuhët e tyre.
Videoja u transmetua në sallën kryesore të samitit dhe u prit me të qeshura e duartrokitje, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore mes liderëve. Në video u shfaqën “versionet foshnje” të figurave të njohura politike si Emmanuel Macron, Recep Tayyip Erdoğan, Olaf Scholz, Ursula von der Leyen dhe Giorgia Meloni, të cilët thoshin “Welcome to Albania” me thekse të ndryshme dhe buzëqeshje karakteristike.
Një nga reagimet më të spikatura ishte ai i kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila u pa duke qeshur me gjithë zemër gjatë shfaqjes së klipit, ndërsa përshëndetja e “bebi Erdogan” dhe “bebi Macron” shkaktuan entuziazëm të veçantë në sallë.
Në fund të videos, “bebi” Edi Rama si mikpritës i Samitit, mbylli përshëndetjen me një mesazh të veçantë dhe batutë, që bëri sallën të shpërthente sërish në të qeshura.
View this post on Instagram
Kjo mënyrë kreative e mirëseardhjes është përshëndetur si një nga momentet më origjinale të një samiti ndërkombëtar, duke theksuar jo vetëm mikpritjen shqiptare, por edhe mënyrën unike të komunikimit përmes teknologjisë dhe humorit.