Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së re të Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave, përmes një procedure gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese. Në një deklaratë publike të fortë, Rama e cilësoi këtë kërkesë si një abuzim institucional që rrezikon të minojë seriozitetin e Kushtetutës dhe shtetit shqiptar.

“Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – ndodhi për herë të parë në vitin 2022 dhe tani po përsëritet”, u shpreh Kryeministri.

Sipas Ramës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2022 – që pranoi kërkesën e Unionit për të lidhur pagat e gjyqtarëve me ato të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri – u pranua atëherë në heshtje, si një “lajthitje” që duhej kapërdirë për hir të respektit ndaj drejtësisë. Por, thekson ai, kjo nuk do të ndodhë më.

“Ky Union e kuptoka si privilegj të përjetshëm faktin që për të mbështetur Reformën në Drejtësi, ne i rritëm pagat në mënyrë të jashtëzakonshme. Por kjo nuk do të thotë që gjyqtarët të vetëcaktojnë pagën e tyre në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe parlamenti”, shtoi Rama.

Sipas Kryeministrit, kërkesa e re që synon një rritje me 700 euro të pagës bazë të gjyqtarëve, bie ndesh me parimet e shtetit ligjor dhe shkel rëndë balancën mes pushteteve.

“Republika e Shqipërisë nuk mund të jetë e vetmja në botë ku gjyqtarët caktojnë pagat e tyre me vendime gjykate. Kjo do të ishte një tallje me seriozitetin e shtetit dhe një cënim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës”, përfundoi Rama.

Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve ndodhi pas rritjes së pagave të administratës publike në maj të vitit 2023, dhe aktualisht është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Reagimi i Kryeministrit paralajmëron një qëndrim të fortë të ekzekutivit në këtë proces.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu