
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Deutsche Welle (DW), ka deklaruar se Kosova duhet të përmbushë në mënyrë të njëanshme të gjitha kërkesat e dialogut me Serbinë dhe më pas t’ia “lërë topin në derë” Beogradit.
“Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë, në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë të njëanshme të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë, siç i themi ne, topin në derë Serbisë, duke i thënë Europës dhe të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur ende: ja kush jemi ne. I përmbushëm, i firmosëm, tani shkoni dhe merrini firmën Serbisë. Por duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë,” – tha Rama.
Të gjitha i kam bërë nga interesi i Shqipërisë”
I pyetur për etiketime të ndryshme që i janë bërë në Kosovë – nga “vëllai i Vuçiçit” deri tek akuzat për bashkëpunim me Serbinë – Rama tha se i mirëkupton, duke i lidhur me plagët e freskëta të luftës:
“Nuk i marr për të keq, sepse burojnë nga kujtime të freskëta dhe të vrazhda të një kohe dramatike për popullin e Kosovës. Nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë dhe as nuk kam asnjë pishman për asgjë që kam bërë, sepse të gjitha i kam bërë nga interesi i Shqipërisë.”
Marrëdhëniet me Albin Kurtin
Sa i përket raporteve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama theksoi se marrëdhënia mes tyre është “miqësore në aspektin personal”, megjithëse me dallime të pashmangshme në këndvështrime:
“Unë me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime që janë të pashmangshme në këndvështrime. Këto dallime i ndajmë hapur, qoftë ballë për ballë, qoftë publikisht.”
Rama shtoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë përparime të dukshme, duke përfshirë edhe projektet infrastrukturore madhore si hekurudha Durrës–Prishtinë, që është në zhvillim.
📷 Foto: Florion Goga / Reuters
📄 Burimi: Deutsche Welle




