
Pas finales së Conference League, stadiumi “Air Albania” synon organizimin e finales së Superkupës së UEFA-s.
Është kjo kërkesa e bërë nga kryeministri Edi Rama në adresë të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, në takimin e zhvilluar pasditen e së enjtes në Kryeministri.
“Për Shqipërinë çdo gjë është e mundur. Kemi pritur samite të mëdha, të BE dhe do të presim edhe të NATO-s. i nderuar miku im Aleksandër, duhet të na e jepni ne Finalen e Superkupës së UEFA. Unë e di që ju do më thoni votimi, e të tjera si këto, por nëse ai që keni në të majtën e në të djathtën tuaj janë dakord, kjo kërkesë e jona bëhet realitet”, u shpreh dje Rama në fjalën e mbajtur në pallatin e Brigadave, për nder të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA që zhvilluan mbledhjen e tyre të radhës në Tiranë.
Kryeministri Rama përmendi gjithashtu impaktin pozitiv që pati organizimi i finales së Ligës së Konferencës në Tiranë në vitin 2022, ku Roma dhe Feyenoord u përballën në stadiumin “Air Albania”.
Sipas tij, kjo ka sjellë një numër më të lartë turistësh nga Holanda. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, u vendos që edicioni i Superkupës së vitit 2026 të mbahet në Salzburg të Austrisë.
Kjo do të thotë se kërkesa zyrtare e Shqipërisë, e cila pritet të formalizohet nga FSHF, do të synojë edicionin e vitit 2027.
Shqipëria shpreson që, përmes futbollit dhe mikpritjes, të forcojë më tej imazhin e saj në arenën evropiane, dhe një finale si ajo e Superkupës së UEFA mund të jetë hapi tjetër i madh në këtë rrugë.