Kryeministri, Edi Rama, në takimin me kryetarët e bashkive të zhvilluar këtë të premte, ka adresuar me tone të forta e kritike performancën e pushtetit vendor, duke theksuar se nuk ka më vend për justifikime në mandatin aktual.

Rama solli në vëmendje shembullin e Bashkisë së Cërrikut, e cila përpunon mbetjet e fshatit dhe i kthen në produkte të shitshme, duke e cilësuar si një model inovativ që duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë. Kreu i qeverisë kritikoi qasjen pasive të disa njësive vendore që presin fonde nga qeveria, ndërkohë që, sipas tij, kanë mundësi të zhvillojnë projekte vetëgjeneruese për komunitetin.

Ndër të tjera, në mënyrë të prerë kërkoi shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative të emëruar nga Partia Socialiste, për t’iu hapur rrugë individëve të rinj që mund të japin rezultate më të mira.

“Kështu që për ne nuk ka asnjë justifikim, zero. Mund unë ta di unë se përse Bashkia e Cërrikut i përpunon të gjitha mbetjet e fshatit dhe jo vetëm i përpunon, por i kthen në produkt në shitje, dhe pse nuk e kanë të gjitha bashkitë këtë. Nuk është një inovacion që ka ndodhur në Japoni e s’po e marrim dot, por është një inovacion, që e ka Bashkia e Cërrikut. Pse duhet të rrimë të presim, dhe pastaj kërkojnë vetëm fonde nga qeveria, ndërkohë që kanë mundësira të pafundme për të prodhuar dhe për t’i vënë në funksion të komunitetit”.

“Sa i përket kryetarëve të PS, të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, që të gjithë. Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen, për t’iu dhënë mundësia të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata. Votat që kemi marrë e kanë rritur diferencën midis se sa jemi ne anëtarë partie dhe sa ajanë ata që e duan këtë parti në krye dhe rritja e kësaj diference do të thotë që ne duhet ta zgjerojmë hapësirën edhe për ata të tjerët, por na kanë dhënë votën. Shqipërinë në vitin 2030 nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime”, tha Rama.

Rama ndërkohë ka lënë afat deri të hënën për kryetarët e njësive administrative, që të dorëzojnë dorëheqjet e tyre. /tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu