Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian përfaqëson një transformim të thellë të shtetit shqiptar, duke rritur kapacitetet institucionale dhe forcimin e rendit ligjor në të gjitha nivelet.

Gjatë një mbledhjeje të qeverisë, Rama u shpreh se ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas tij kanë hyrë në një fazë të re me një nivel pavarësie të paprecedentë.

Ai theksoi se tashmë sfida kryesore është rritja e profesionalizmit, paanshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në sistemin e drejtësisë.

Sipas kreut të qeverisë, lufta kundër korrupsionit nuk duhet parë vetëm si përballje mes institucioneve dhe shkeljeve ligjore, por si një proces më i gjerë që përfshin modernizimin dhe transformimin institucional, si dhe ndërtimin e mekanizmave që parandalojnë korrupsionin në “hapësira gri”.

Rama evidentoi gjithashtu disa fusha ku kërkohet më shumë progres, si prokurimi publik dhe kontrolli financiar, ndërsa e cilësoi sigurinë ushqimore si sfidën kryesore.

Ai nënvizoi se procesi i integrimit është i pazëvendësueshëm dhe sjell përfitime në të gjitha sektorët, nga ekonomia dhe infrastruktura, te energjia dhe bujqësia.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu