
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar aksin rrugor Librazhd–Përrenjas, i cili tashmë është stabilizuar dhe ku është rikthyer qarkullimi normal për të gjitha mjetet, përfshirë edhe tonazhin e rëndë.
Qarkullimi po realizohet përmes një devijimi provizor në gjurmën e Koridorit VIII, i vendosur për të garantuar lëvizjen në këtë segment të rëndësishëm rrugor.
Gjatë një konference për mediat, Rama u ndal edhe te debatet që pasuan shembjen e një pjese të këtij aksi, duke theksuar se rrëshqitja nuk lidhet me korrupsionin, por me një fenomen natyror.
“U krijua një rrebesh balte i jashtëzakonshëm nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxhere me shpifje, akuza e fantazi se gjoja rruga u shemb nga korrupsioni. Ndërkohë është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se përhapja e informacionit të rremë është bërë më e shpejtë se e vërteta.
“Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët nga pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se institucionet po punojnë për të garantuar stabilitetin e segmentit dhe për të respektuar afatet e reja të ndërhyrjes në këtë aks rrugor, i cili është pjesë e një prej korridoreve më të rëndësishme të infrastrukturës në vend.



