
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj politikanit britanik Nigel Farage, pas deklaratave të këtij të fundit për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, Rama e ka akuzuar Farage për shtrembërim të qëllimshëm të të dhënave dhe për përdorimin e shqiptarëve në retorikën e tij politike post-Brexit.
“Ju humbët!”, deklaron prerë Rama, duke iu referuar përpjekjeve të dështuara të Farage për të ndezur opinionin publik britanik me shifra të pavërteta.
“Censusi juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në fakt, është shumë më lart – disa herë më shumë. Por edhe vetë burimi juaj, The Telegraph, pranoi se analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e komunitetit shqiptar, që mund të shkojë deri në 140,000 persona. Pra, më pak se një në 100 ndodhen në burg, jo një në 50 siç pretendoni ju.”, vijon reagimi i kryeministrit.
Rama shtron një pyetje direkte ndaj Farage: “Pse këmbëngul në shtrembërimin e realitetit? Sepse të sillesh me djallëzi bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.”
Ai thekson se shqiptarët në Britani nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si “kokë turku” për krizat e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar:
“Shqiptarët nuk janë një statistikë për t’u përdorur në teatrot tuaja politike. Ata janë studentë, akademikë, profesionistë, shoferë, ndërtues dhe sipërmarrës të ndershëm. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e bën shumicën fajtore për konfuzionin tuaj kombëtar.”
Kryeministri shqiptar rikujton edhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet britanike për luftën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe krimit, duke theksuar se kjo është mbështetur në shifra reale, jo në propagandë.
Në fund të reagimit të tij, Rama lëshon edhe një ftesë publike për Farage:
“Ju pres në Tiranë si i ftuar nderi, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje shqiptare dhe mbi të gjitha, fakte të vërteta.”
Kryeministri e mbyll reagimin me një mesazh të prerë:
“Një në 50 shqiptarë në burgjet britanike? Kjo nuk është fakt. Kjo quhet delir post-Brexit.”