
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si valë dezinformimi politik dhe mediatik lidhur me përfshirjen e Shqipërisë në “Board of Peace”, nismë e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për paqen dhe administrimin e Gazës.
Në një postim në rrjetin social X, Rama i ka quajtur “gënjeshtra” pretendimet që kanë qarkulluar orët e fundit, duke sqaruar publikisht tre pika kryesore:
- Se në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së
- Se Shqipëria do të paguajë 1 miliard euro për të qenë pjesë e bordit
- Se palestinezët do të zhvendosen në Shqipëri
“❌ GËNJESHTRA”, shkruan Rama për secilin prej këtyre pretendimeve, duke shtuar se sipas tij, reagimet e zhurmshme janë shprehje e “Shqipërisë së vjetër”, ndërsa vendi po ecën drejt një pozicioni të ri, të respektuar ndërkombëtarisht.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë. Sa më shumë lehin tenxheret, aq më përpara ecën karvani”, shprehet Rama, duke theksuar se për të ka rëndësi vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve dhe respekti ndërkombëtar për Shqipërinë.
Rama publikoi kete mengjes edhe ftesen per te shuar zerat opozitare qe e akuzonin per mashtrim.

Çfarë raportojnë mediat e huaja
Ndërkohë, media prestigjioze ndërkombëtare, si Bloomberg, kanë raportuar se administrata e Presidentit Trump po shqyrton mundësinë që shtetet që kërkojnë një vend të përhershëm në “Board of Peace” të kontribuojnë financiarisht, me shifra që në draft-dokumente përmenden deri në 1 miliard dollarë.
Sipas Bloomberg, kjo shumë nuk është një tarifë zyrtare e detyrueshme, por lidhet me diskutime të brendshme mbi mënyrën e financimit të bordit dhe angazhimin afatgjatë të vendeve pjesëmarrëse. Draftet e përmendura parashikojnë që vendimet në bord të merren me votë, por të jenë subjekt i miratimit final nga kryetari i tij, Presidenti Trump.
Sipas dokumentit, secili shtet anëtar do të ketë një mandat trevjeçar të rinovueshëm nga kryetari i bordit — i cili, sipas draftit, do të jetë vetë Trump — por kjo afat mund të zgjatet vetëm nëse kontribuohen më shumë se 1 miliard dollarë brenda vitit të parë të funksionimit të bordit shkruan Sweeden Herald.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë, sipas raportimeve të Reuters, ka minimizuar interpretimet për “tarifa anëtarësimi”, duke deklaruar se nuk ekziston një pagesë fikse për pjesëmarrje dhe se fokusi i nismës është angazhimi politik dhe financiar për paqen dhe rindërtimin e Gazës, jo një skemë pagesash ndaj SHBA-së.
Në këtë kontekst, reagimi i Ramës synon të ndajë atë që ai e quan spekulim të brendshëm politik, nga informacioni i pjesshëm që po qarkullon në media ndërkombëtare mbi strukturën dhe funksionimin e ardhshëm të Board of Peace.






