
Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka marrë një ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në takimin themelues të “Bordit të Paqes”, që pritet të zhvillohet në ditët në vijim në Uashington.
Në podkastin “Flasim”, Rama u përgjigj kritikëve që kishin vënë në dyshim udhëtimin e tij drejt SHBA-së, duke theksuar se Shqipëria do të jetë ndër shtetet themeluese të këtij bordi. Ai shtoi se vendi nuk do të ketë asnjë detyrim financiar për anëtarësimin, por do të kontribuojë “me dinjitetin dhe respektin ndërkombëtar”.
Kreu i qeverisë komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”, duke paralajmëruar se të hënën do të depozitojë në Kuvend një nismë ligjore për të adresuar boshllëqet që lidhen me kompetencat e gjykatave në raport me pushtetet e tjera. Sipas tij, iniciativa do të paraqitet fillimisht në Grupin Parlamentar dhe më pas publikisht me praninë e medias.
Rama u tregua kritik edhe ndaj Partisë Demokratike për protestën e 10 shkurtit, duke e akuzuar se ushtron dhunë dhe shkatërrim të pronës si pjesë të aktivitetit politik.
Ai hodhi akuza edhe ndaj Prokurorisë Speciale në Hagë, duke thënë se ka dështuar të sjellë prova për kërkesën e saj për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur prokuroria ka kërkuar gjithsej 180 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.



