Në përfundim të mandatit të Oliver Röpke si President i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian (EESC), Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim vlerësues për rolin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e dialogut social dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.

Rama u shpreh se përmes udhëheqjes së Röpke, komiteti ka qenë një “makineri që ka ndërtuar konsensus, fuqizuar rininë në vendimmarrje dhe ka garantuar që politikat e gjelbra dhe digjitale të mbështeten në drejtësi dhe qëndrueshmëri”.

“Në kohë të vështira, dialogu social nuk është luks, por një nevojë e domosdoshme, si oksigjen për një kontinent që mban frymën,” tha Rama, duke kujtuar periudhën e trazirave nga pandemia dhe lufta në Ukrainë gjatë presidencës së Röpke.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Oliver Röpke ishte një mbështetës i fortë i zgjerimit të Bashkimit Europian, duke e përfshirë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në vendimmarrje:

“Ju na bëtë pjesë të tavolinës si partnerë me zë të plotë, jo si spektatorë që shohin nga vrima e çelësit. Ju këmbëngulet që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.”

Rama kujtoi se nën presidencën e Röpke, Shqipëria bëri hapa historikë në procesin e integrimit:

“Vetëm dje hapëm katër kapituj të tjerë, duke kaluar një pritje që zgjati vite. Sot ndodhemi në një turbo-sprint për integrimin europian.”

Në përfundim, Rama falënderoi Röpke për vizionin dhe angazhimin e tij:

“Komiteti Ekonomik dhe Social Europian ishte vendi i parë ku ne shqiptarët u ndjemë qytetarë të barabartë të Europës. Faleminderit që na dëgjuat dhe na përfshitë si pjesë të së ardhmes së përbashkët europiane.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu