Njoftimin e dha kryeministri Edi Rama gjatë nja takimi me shqiptarët e diasporës në Amerikë, me të cilët pati një bisedë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e vitit 2025.
Kryetari i qeverisë nuk dha detaje dhe as data, por tha se kompania amerikane “Delta” ka shprehur interes për fluturimet e drejtpërdrejta me Shqipërinë.
“Shqipëria ka aeroportin ndërkombëtar me rritjen më të madhe në Europë. Aktualisht aeroporti po negocion me kompaninë amerikane ‘Delta’ për të filluar fluturimet direkte nga Amerika në Shqipëri. Nuk e di se kur do përfundojë kjo negociatë. Ne po bëhemi gati të hapim edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon. Është bërë e tillë edhe për fluturimet transoqeanike dhe nga ana tjetër jemi duke diskutuar me kompaninë Air Albania, për të mundësuar më në fund një fluturim të drejtpërdrejtë të Air Albania.
Fluturimin e parë kur do të ndodhë nuk jua them dot, por kur të ndodhë do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork. E sigurt është që koha e gjatë që keni pritur për të pasur një fluturim të drejtpërdrejtë me Shqipërinë nuk do të jetë aq e gjatë dhe besoj që në një kohë të arsyeshme do ta realizojmë dhe do ta japim këtë lajm dhe do ta sjellim avionin. Ajo që më jep shumë kënaqësi është arsyeja pse kompania ‘Delta’ ka shprehur interes, sepse edhe turoperatorët në Amerikë kanë kërkesa të rritura nga qytetarët amerikanë, përfshirë edhe shqiptarë, për të vizituar Shqipërinë me fluturime direkte,” deklaroi kryeministri Rama gjatë takimit në Nju-Jork./rtsh