
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministri britanik, Keir Starmer, mbajtën sot një konferencë të përbashkët për shtyp gjatë vizitës zyrtare të kreut të qeverisë britanike në Tiranë.
Vizita e Starmer në Shqipëri nisi një ditë më parë dhe është vlerësuar si e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Dy liderët diskutuan për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike, si dhe për çështje të menaxhimit të emigracionit.
Në deklaratat për shtyp, Kryeministri britanik konfirmoi se po zhvillohen bisedime me disa vende, përfshirë Shqipërinë, lidhur me krijimin e qendrave të kthimit për emigrantët që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar pa dokumentacion të rregullt apo që kanë probleme me ligjin. Ai e cilësoi këtë si një qasje të re dhe të nevojshme për përmirësimin e sistemit të emigracionit.
“Po diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh sa i takon qendrave të kthimit. E shoh si një qasje novatore dhe të rëndësishme, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese të kthimit që kemi. Synimi është të rrisim kapacitetet për trajtimin e këtyre rasteve”, u shpreh Starmer.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi interesin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar marrëveshje ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar nevojën për një bashkëpunim më të gjerë në fusha me interes të përbashkët.