Dy ditë pas çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale, dy liderët e partive kryesore në vend, kryesocialisti Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nisën betejën e tyre për votën e diasporës.

Të dy politikanët kryesorë në vend ndodhen sot në Itali, i cili është vendi ku janë regjistruar më shumë shqiptarë për të votuar në 11 maj. 91 mijë shqiptarë me banim në shtetin fqinj do të votojnë për Parlamentin e ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin e tij në Milano, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të takojë shqiptarët në Breshia.

Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, procesi i votimit nis javën e ardhshme, pasi diaspora që ndodhet në Greqi e Itali do të marrë që nesër fletën e votimit nëpërmjet postës. Ndaj PS dhe PD po përpiqen që në këto orë të fundit, para se diaspora të votojë, të bindin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për të marrë mbështetjen e tyre.

Fushata në diasporë për forcat politike shqiptare ka nisur faktikisht më herët, pasi gjatë fazës së regjistrimit të emigrantëve edhe Edi Rama edhe Sali Berisha kanë zhvilluar takime në dy shtetet ku jetojnë më shumë shqiptarë, në Greqi e Itali.

Në zgjedhjet e 11 majit shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të votojnë për herë të parë. 246 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në më shumë se 85 shtete të botës do të marrin fletën e votimit brenda pak ditësh për të shprehur vullnetin e tyre se cila parti duhet të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.

KQZ ka këshilluar emigrantët ta plotësojnë fletën e votimit brenda 3 ditëve dhe ta nisin nëpërmjet postës, në mënyrë që vota e tyre të mbërrijë në kohë në Shqipëri, pasi çdo zarf që arrin në Shqipëri pas orës 19:00 të 11 majit nuk do të numërohet./vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu