
Në një takim me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit në Berat, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkimit të fermerëve në konsorciume, si mënyra më efektive për të rritur fitimet dhe konkurrueshmërinë në treg.
Sipas tij, krijimi i një modeli bashkëpunimi mes mbi 70 aktorëve në sektorin e vajit të ullirit do të ulë kostot dhe do të rrisë fuqinë negociuese për eksport.
Rama u shpreh se prodhimi i ndarë dhe shitja individuale dobëson fermerët në treg, ndërsa bashkimi në struktura të përbashkëta krijon vlerë të shtuar dhe mundësi më të mëdha për tregtim brenda dhe jashtë vendit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria do të vijojë mbështetjen për sektorin përmes programeve të reja financimi dhe skemave mbështetëse, duke përfshirë nismën “dyfisho ndërmarrjen tënde”, që synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.
Një tjetër fokus i rëndësishëm mbetet formalizimi i sektorit, i cili sipas Ramës do t’u japë fermerëve më shumë akses në financime dhe në fondet europiane.
Ai paralajmëroi se integrimi në Bashkimin Europian sjell sfida të forta, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore, duke kërkuar standarde të larta që do të jenë të detyrueshme si për eksportin, ashtu edhe për tregun vendas.
“Pa plotësuar standardet europiane, produktet nuk do të mund të shiten as jashtë dhe as brenda vendit”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Ministri i Bujqësisë Andis Salla deklaroi se modeli i bashkëpunimit i nisur në Berat do të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, duke synuar rritje ekonomike deri në 30% përmes përpunimit dhe bashkëpunimit mes fermerëve.
Ai theksoi se qeveria po punon për krijimin e një baze ligjore dhe financiare për këto modele, si dhe për rritjen e investimeve në agropërpunim, me fonde që arrijnë në rreth 50 milionë euro.
Sipas Sallës, sektori bujqësor mbetet një nga më të rëndësishmit në vend, duke përfshirë rreth 35% të të punësuarve, ndërsa paga mesatare në këtë sektor ka shënuar rritje në vitet e fundit.






