
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjyqtarit, i cili sipas tij vendosi “në pak minuta dhe pa praninë e palëve” që të mos hapet një kalim i mbyllur nga një ndërtim pa leje mes dy pallateve në Tiranë.
Rama theksoi se kjo ngrehinë, e mbuluar me kupolë xhami, shtrihet mbi një dyqan dhe përbën rrezik serioz për banorët, sidomos në rast emergjencash si zjarri.
“Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje. Ky dyqan mund të kthehet në barrikadë vrastare edhe për banorët, edhe për zjarrfikësit”, – u shpreh Rama.
Ai akuzoi gjyqtarin se i është bashkuar listës së vendimmarrësve të tjerë të përmendur nga Ministria e Drejtësisë, dosja e të cilëve pritet t’i përcillet organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit.
Rama paralajmëroi se qytetarët e prekur do të inkurajohen të bashkohen në ankimime dhe shtoi se qeveria “nuk do të heshtë më për rastet e shpërdorimit të detyrës nga prokurorë dhe gjykatës të paaftë apo të papërgjegjshëm”.
Megjithatë, kryeministri bëri dallim mes kritikës ndaj individëve dhe mbështetjes për sistemin e drejtësisë:
“Askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbrojtjes së lirive e të drejtave të qytetarëve.”