Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me vendimet e gjykatave për ish-zyrtarët e shkarkuar nga procesi i vetingut, duke ngritur shqetësime për koston financiare që, sipas tij, po i rëndon buxhetit të shtetit.

Sipas Ramës, deri më tani gjykatat kanë dhënë 92 vendime në favor të personave të larguar nga sistemi, duke u akorduar atyre rreth 12 milionë euro trajtim financiar.

“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!” – shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shton se disa prej këtyre vendimeve janë ekzekutuar pa marrë formë të prerë në Gjykatën Administrative të Apelit, duke detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore të kryejë pagesat nga fondi i pensioneve.

“Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë… dhe ndërkohë radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon,” thekson ai.

Në përfundim, Rama e cilëson situatën si një “pavarësi të papërgjegjshme”, duke paralajmëruar se fatura financiare mund të rritet edhe më tej.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu