Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim kritik dhe gjithëpërfshirës pas diskutimeve mbi Raportin e Bordit Ndërkombëtar të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku theksoi domosdoshmërinë për një reformim të thellë të sistemit universitar në Shqipëri.

“Ky raport nuk ka faj, dhe as pasqyra nuk ka faj kur na tregon të vërtetën,” deklaroi Rama, duke nënvizuar se të gjitha rekomandimet e raportit qëndrojnë dhe se problemet thelbësore në arsimin e lartë nuk mund të relativizohen.

Ai kritikoi numrin shumë të lartë të universiteteve në raport me përmasat e vendit: “Shqipëria ka më shumë universitete për metër katror se Sllovenia apo Anglia. Kemi 41 universitete, shumë prej të cilave ofrojnë programe të përgjithshme pa lidhje me nevojat reale të tregut apo me ndërtimin e dijes.”

Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin:

  • Përqindja e lartë e stafit akademik me angazhim part-time, që sipas tij, është problem pavarësisht kostove.
  • Mungesa e një përfshirjeje të organizuar të diasporës akademike në jetën universitare shqiptare.
  • Prodhimi i doktoraturave të dobëta, shpesh jashtë çdo standardi.
  • Plagjiatura, të cilën Rama e quajti një problem të paprekur seriozisht deri më sot.
  • Mungesa e kërkimit shkencor të mirëfilltë, të aftë të prodhojë ndikim jashtë mureve të universiteteve.

“Jemi në një fazë belbëzuese të kërkimit shkencor,” u shpreh ai. “Kërkimi brenda për brenda, është ende në nivel kopshti.”

Kryeministri kritikoi edhe mënyrën e organizimit të brendshëm të universiteteve, duke përmendur mungesën e një hierarkie të qartë që shpesh e bën të pamundur funksionimin e një vizioni të vetëm.

Në fund, ai theksoi se progresi i deritanishëm duhet parë vetëm si një bazë për ambicie më të larta. “Nëse nuk pranojmë që jemi larg, nuk kemi asnjë shans të ecim përpara,” tha Rama, duke shtuar se qeveria do të marrë më shumë përgjegjësi edhe në aspektin financiar, ndërsa kërkoi që të gjithë aktorët të nxjerrin konkluzionet e tyre për të ndërtuar një sistem arsimor më efikas dhe të standardizuar.

Ai paralajmëroi edhe ndërhyrje në ligjin për arsimin e lartë, duke kërkuar që diskutimet për reformën të mos “mbyten në një lugë ujë”, por të çojnë drejt një sistemi më racional dhe cilësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu