
Erogen Vaso Brajoviç, 43-vjeçari që mbeti i plagosur në atentatin e mëngjesit të 8 Shtatorit në qendër të Shkodrës, ka dhënë dëshmi për hetuesit lidhur me ngjarjen e rëndë.
Ai ka treguar se ka miqësi me pjesëtarët e fisit Bajri, por nuk është përfshirë në asnjë aktivitet kriminal.
“Me pjesëtarët e fisit Bajri kam miqësi, nuk e mohoj këtë, por s’jam i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale,” tha Brajoviç.
Sipas dëshmisë së tij, autori i dyshuar i masakrës, 28-vjeçari Ragip Gila, i cili pretendoi se kishte konflikt personal me Erogen Vaso, në fakt nuk njihej nga i mbijetuari:
“Ragip Gilën s’e njoh dhe s’kam asnjë konflikt me të,” deklaroi ai për hetuesit.
Në atentatin e Shkodrës mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja alias Lushi, truproja i Brajoviç. Përveç 43-vjeçarit, u plagos edhe kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.
Pas ngjarjes, autori Ragip Gila u arrestua disa minuta më vonë. Ai u kap pas një përpjekjeje për t’u arratisur, gjatë së cilës braktisi motorin, grabiti një makinë BMW dhe u përfshi në një aksident në lagjen Skënderbeg. Gila u arrestua për veprat penale:
- Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
- Vjedhja me armë
- Shkatërrimi i pronës
- Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit
- Vjedhja
Pamjet filmike tregojnë qartë momentet e largimit të tij me makinën e vjedhur dhe përpjekjet për t’u arratisur.