
Viti i Ri 2026 ka nisur me stresin e zakonshëm për drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët në rrugët e vendit. Radhë kilometrike, trafik i rënduar dhe pritje të gjata janë regjistruar gjatë ditës së sotme në aksin kombëtar që lidh Tiranë me Elbasanin.
Sipas pamjeve nga terreni, mjetet kanë krijuar një karvan të gjatë në segmentin e daljes nga Elbasani, duke ngadalësuar ndjeshëm qarkullimin dhe duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për udhëtarët.
Google maps sugjeron një devijim që të nxjerr në rrugën e vjetër të Kërrabës duke shmangur tunelin dhe zonën e Shijonit ku dhe krijohet ngërrçi për shkak se në dalje të autostradës nga tri korsi rruga reduktohet në një.

Burime nga zona bëjnë me dije se disa faktorë kanë ndikuar në situatën e rënduar të trafikut. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, pasiviteti i Policisë Rrugore, si dhe fluksi i lartë i automjeteve gjatë festave të fundvitit kanë qenë ndër shkaqet kryesore.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe kthimi i emigrantëve, të cilët gjatë kësaj periudhe lëvizin masivisht në hyrje-dalje të vendit për të vizituar familjarët, duke rritur ndjeshëm ngarkesën në akset kryesore rrugore.
Drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndërhyrje më efektive nga autoritetet, si dhe për masa afatgjata që të shmanget përsëritja e këtyre situatave në çdo periudhë festash.




