
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm komunitetin sportiv shqiptar. Vajza e futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se e mitura është rrëzuar aksidentalisht nga krevati dykatësh në banesë, duke pësuar dëmtime të rënda. Prindërit e saj e kanë dërguar menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Klubi i KF Tiranës ka reaguar zyrtarisht, duke shprehur dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me lojtarin dhe familjen e tij. Në mesazhin e ngushëllimit, klubi thekson se është pranë Freddy Alvarez në këtë moment të vështirë dhe i shpreh familjes ngushëllimet më të sinqerta.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj ngjarjes, duke vendosur që në shenjë respekti dhe solidariteti të shtyjë ndeshjen Flamurtari–Tirana, e planifikuar për sot. Takimi do të zhvillohet nesër në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”.






