Burime nga spitali Onkologjik, thonë për Report Tv se pajisja e rrezatimit, Akseleratori Linear 2, ndodhet jashtë funksioni prej disa ditësh. Burimet thonë se pajisja ka pësuar defekt, dhe se po punohet për riparimin e saj dhe për ta vënë në funksion javën e ardhshme.
Report Tv kërkoi edhe një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, se çfarë ka ndodhur me këtë pajisje, dhe kur pritet të vihet në funksion, por përgjigjja ka munguar.
Kjo nuk është hera e parë që pacientët me sëmundje tumorale ndërpresin radioterapinë për shkak të probleme me akseleratorin linear. Në një rast të mëparshëm, terapia nuk bëhej pasi dera e dhomës bunker ku ndodhet aparatura e akseleratorit kishte mbetur e hapur, dhe u desh denoncimi i pacientëve përmes Report Tv, që të ndërhyhet për riparimin e saj.
Në Spitalin Onkologjik ka 2 akseleratorë, aparaturë e teknologjisë së fundit për trajtimin e tumorit, dhe vetëm një pajisje në punë nuk mund të mbajë peshën e të gjithë të sëmurëve me me tumor nga gjithë Shqipëria.
Një hetim i Prokurorisë së Tiranës verën e vitit 2024, zbuloi se prej vitesh në Spitalin Onkologjik pacientët nuk i janë nënshtruar procesve terapeutike me braktiterapi, pasi pajisja nuk u vu në punë edhe pse lënda radioaktive e kobaltit u soll në spital në një procedurë të dyshimtë. Hetuesit dyshojnë se të sëmurëve s’u jepej kura e plotë për t’i detyruar të shkojnë në privat në klinikat e vetë mjekëve ndërsa ilaçet dilnin jashtë spitalit e shiteshin nëpër farmaci.
SI.E./Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu