Rreth 500 persona janë arrestuar nga autoritetet amerikane të imigracionit në një fabrikë të Hyundai në Georgia, në bastisjen më të madhe të vendit të punës gjatë mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump. Shumica e të ndaluarve në kompleksin prej 3,000 hektarësh, i ndërtuar nga prodhuesi korean i makinave për prodhimin e automjeteve elektrike, janë shtetas koreano-jugorë.

Qeveria e Koresë së Jugut shprehu “shqetësim dhe keqardhje” për operacionin dhe i kërkoi SHBA-së të respektojë të drejtat e qytetarëve të saj.

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se bastisja u krye pas një hetimi shumëmujor mbi “praktika të paligjshme punësimi dhe krime të tjera të rënda federale”. Sipas zyrtarit Steve Schrank, kjo nuk ishte një operacion tipik imigracioni, por një hetim penal i thelluar që çoi në lëshimin e një urdhri gjyqësor për kontroll.

Ai e cilësoi operacionin si “më të madhin në një vend të vetëm në historinë e hetimeve të sigurisë kombëtare”.

Rreth 475 persona që ndodheshin në SHBA në mënyrë të paligjshme ose punonin pa autorizim u ndaluan dhe po mbahen në një qendër të ICE në Folkston, Georgia. Nga të ndaluarit, 300 raportohet të jenë shtetas koreano-jugorë.

Hyundai deklaroi se po monitoron nga afër situatën dhe se, sipas të dhënave të deritanishme, asnjë nga të ndaluarit nuk është i punësuar drejtpërdrejt nga kompania. Prodhimi i automjeteve elektrike nuk është prekur, por partneri i Hyundai në ndërtimin e baterive, LG Energy Solutions, ka pezulluar përkohësisht punimet.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë agjentët duke rreshtuar punëtorët dhe duke u komunikuar se kanë urdhër për kontroll të objektit.

Koreja e Jugut ka dërguar diplomatë në vendngjarje dhe ka kontaktuar ambasadën amerikane në Seul, duke kërkuar “kujdes ekstrem” për të drejtat e qytetarëve të saj. Ministria e Jashtme koreane theksoi se aktivitetet ekonomike të kompanive investuese dhe të drejtat e qytetarëve nuk duhet të cenohen padrejtësisht gjatë operacioneve të zbatimit të ligjit në SHBA.

Ky operacion ka nxitur tension mes dy prioriteteve kryesore të Presidentit Trump: nxitja e prodhimit vendas dhe lufta kundër imigracionit të paligjshëm. Ndërsa Trump ka promovuar investime të huaja dhe ka vendosur tarifa për të stimuluar prodhimin në SHBA, ai gjithashtu ka premtuar masa të ashpra kundër imigrantëve pa dokumente, duke nisur një fushatë të gjerë arrestimesh dhe deportimesh.

Edhe pse shumica e të ndaluarve në operacione të mëparshme kanë qenë nga vendet e Amerikës Latine, janë arrestuar edhe persona nga kombësi të tjera.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu