Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla solli sot përmes një postimi në rrjetet sociale, rrëfimin e Anila Smorgrav, një shqiptare që jeton prej shumë vitesh në Paris dhe që njëherësh është anëtare e Këshillit Koordinues për Diasporën.
Balla u shpreh se, Anila Smorgrav është pjesë e komunitetit shqiptar në Paris të Francës, por edhe e Qendrës Kulturore “Maison d’Albanie” që organizon aktivitete të ndryshme për Diasporën.
Smorgrav, foli gjithashtu për këtë qendër kulturore, duke e cilësuar si të veçantë qasjen “Maison d’ Albanie”, për sa më shumë aktivitete dhe organizime ku mblidhen qindra shqiptarë.
“Qendra kulturore ka bërë 10-vjetorin dhe numërohen mbi 200 aktivitete, ku janë promovuar artistë të ndryshëm, qoftë në art, pikturë, muzikë, literaturë. Kjo qendër është bërë një vatër dhe dritare e ngrohtë e Shqipërisë, por edhe e rajonit, pasi Diaspora në Paris nuk dallon nga shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”, tha ajo./atsh