
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka paraqitur sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në vlerën e 76.9 milionë euro. Ky financim shtesë synon të mbështesë përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët, përmes zgjerimit të digjitalizimit edhe në nivel vendor.
“Jemi sot për të kërkuar miratimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Puna që kemi bërë deri tani me digjitalizimin e shërbimeve të administratës qendrore synojmë ta shtrijmë edhe në qeverisjen vendore,” u shpreh Balla para deputetëve.
Ministri sqaroi se përmes këtij financimi do të realizohet digjitalizimi i shërbimeve vendore, i proceseve të brendshme administrative në 61 bashkitë e vendit, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit financiar (AFMIS) në nivel lokal. Po ashtu, një tjetër komponent i rëndësishëm është modernizimi i procedurave të prokurimit publik, duke i përafruar me ndryshimet e fundit ligjore.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi edhe sukseset e arritura nga programi GovTech, i cili ka shërbyer si bazë për këtë financim. Ai përmendi instalimin e 216 laboratorëve digjitalë në 200 shkolla dhe shtoi se me mbështetjen e Bashkimit Europian, synimi është që çdo shkollë në Shqipëri të ketë një Smart Lab gjatë këtij mandati.
Në këtë kuadër, Balla bëri me dije edhe nisjen e implementimit të Sistemit të Qendërzuar për Dokumentet me Nënshkrim Elektronik dhe kalimin e platformës e-Albania në versionin e saj të ri, 2.0, që do të hapë një fazë të re për shërbimet online.
“Ky është një financim që e merr qeveria qendrore për ta vendosur në dispozicion të bashkive, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Prandaj ju ftoj ta votoni këtë marrëveshje,” u shpreh në mbyllje ministri Balla.