
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë miratuar dy akte shumë të rëndësishme që parashikojnë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, për të gjithë shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilëve u ka skaduar ose u përfundon ky afat deri në datën 11 maj 2025.
Vendimi vjen pas një analize të të dhënave që tregoi se një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote kishin dokumente të identitetit të skaduara ose që do të skadojnë para zgjedhjeve të 11 majit. Duke qenë se letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike janë dokumente të domosdoshme për të votuar, qeveria ndërhyri për të garantuar të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Sipas vendimit, afati i vlefshmërisë së këtyre dokumenteve do të shtyhet deri më 31 maj 2025, duke i bërë ato të vlefshme për identifikim edhe gjatë ditës së votimit.
Kjo lëvizje erdhi pas kërkesave të shumta të partive politike, të cilat i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Brendshme dhe Këshillit të Ministrave për shtyrjen e afatit të dokumenteve të skaduara. Kujtojmë se në janar 2025, KQZ i kërkoi qeverisë që të adresonte çështjen e vlefshmërisë së dokumenteve për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo kërkesë u materializua në muajin shkurt me miratimin e akteve normative që shtynin vlefshmërinë e dokumenteve për shqiptarët në diasporë njofton ministri i brendshem, Ervin Hoxha.
Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me KQZ-në, Shërbimin e Gjendjes Civile dhe agjencitë e tjera përgjegjëse, ka marrë të gjitha masat ligjore dhe administrative për të garantuar zhvillimin e qetë dhe të pandikuar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, si brenda vendit ashtu edhe jashtë kufijve.
Nga ana tjetër, janë marrë masa të shtuara edhe për aspektin e sigurisë. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor para, gjatë dhe pas përfundimit të votimit, duke zbatuar me rigorozitet ligjin dhe dispozitat e Kodit Zgjedhor.
Gjithashtu, qeveria ka garantuar se po punohet intensivisht për mbarëvajtjen e aktiviteteve madhore që do të zhvillohen në Shqipëri gjatë këtyre ditëve, përfshirë “Giro d’Italia” më 8, 9 dhe 10 maj, si dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj në Tiranë. Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në qarkullimin rrugor që do të shoqërojnë këto aktivitete, ndërkohë që Policia e Shtetit do të publikojë në vijim detaje të hollësishme mbi bllokimet dhe devijimet e trafikut.