Vendimi për shkarkimin e Altin Bashës u mor në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave.
Altin Basha akuzohet se ka shpërdoruar fondet e Teatrit Kombëtar.
Sipas akuzës Basha kishte punësuar si kostumografe bashkëshorten e tij për shfaqen “Vojçek” dhe e kishte paguar atë 11 milionë lekë për kostumet e kësaj shfaqje, rreth 840 mijë lekë për veshjet e çdo aktori.
Gjithashtu ipas akuzës kanë dalë edhe emra fiktivë, të cilët janë paguar sikur të kenë qenë pjesë e Teatrit.
Pas skandalit që shpërtheu për fondet e Teatrit Kombëtar nën drejtimin e Altin Bashës, reagoi edhe ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministria lajmëroi asokohe ngritjen e një grupi të posaçëm që do të zhvillonte hetimet për Teatrin Kombëtar për të vërtetuar të gjitha pretendimet e ngritura.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar. Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar”, thuhej në njoftimin zyrtar nga ministria.