TIRANË – Qeveria shqiptare ka prezantuar për herë të parë një projekt-ligj të dedikuar për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, duke synuar vendosjen e rregullave të qarta për ndërveprimin ndërmjet zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.

Ky projekt-ligj është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për avancimin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke u bazuar në Pozicionin e Përbashkët Negociues të BE-së për Grupkapitullin “Themeloret”.

Projekt-ligji “Për lobimin” përcakton mënyrën e ndërveprimit midis bizneseve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve nga njëra anë dhe vendimmarrësve publikë nga ana tjetër. Qëllimi është që proceset e politikëbërjes të jenë të gjurmueshme, transparente dhe të hapura ndaj publikut.

Sipas projekt-ligjit, çdo individ apo subjekt juridik që merret me lobim duhet të regjistrohet dhe të deklarojë periodikisht burimet financiare dhe shpenzimet e aktivitetit të tij çdo gjashtë muaj. Po ashtu, vendoset detyrimi për respektimin e Kodit të Sjelljes, parimeve etike profesionale dhe deklarimin e konflikteve të mundshme të interesit.

Lobimi si mjet kundër korrupsionit

Një nga qëllimet kryesore të projekt-ligjit është rritja e transparencës dhe parandalimi i korrupsionit. Regjistri publik i lobimit do të lejojë gjurmimin e çdo kontakti, kontrate apo shpenzimi të kryer në kuadër të veprimtarisë së lobimit, duke e kthyer këtë proces në një aktivitet të ligjshëm dhe të hapur.

Ligji parashikon gjithashtu raportimin e kontakteve nga zyrtarët publikë dhe vendos kufizime për ish-zyrtarët e lartë në ushtrimin e lobimit pas përfundimit të detyrës. Ky proces synon të forcojë besueshmërinë institucionale dhe të konsolidojë standardet e integritetit publik, duke u përputhur me kërkesat e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisje të hapur dhe transparencë.

Miratimi i projekt-ligjit “Për Lobimin” pritet të krijojë një mjedis më të hapur dhe të ligjshëm për aktivitetet e vendimmarrjes publike, duke u bërë një hap kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe forcimit të mirëqeverisjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu