Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Problematikat më të mëdha shihen në zonën e jugut, sidomos në Delvinë.

Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare për Emergjencat civile kanë përgatitur një plan masash për rritjen e gatishmërisë për muajin gusht. Plani u prezantua nga ministrat përkatës.

Nga zjarret, më e prekur është qarku i Vlorës me 17 mijë e 500 hektarë të djegura, ndjekur nga Dibra, Tirana dhe më pas Berati. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije se nga zjarret janë prekur 12 banesa, tre stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie.

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se shumica dërrmuese e zjarreve kanë qenë të qëllimshme.

Nga të gjitha operacionet nuk ka asnjë humbje jete, tha ai, ndërsa janë shpëtuar dhjetëra banese dhe është parandaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturën kritike.

Dy punonjës policie janë lënduar në një akt që Ministria e Brendshme e konsideron heroik.

“Njërin prej tyre do ta veçoja me emër, Agim Troci, shefi i komisariatit të Delvinës, që po merr mjekim në spital. Ndërhyrja në një banesë për fat shpëtoi banorë të bllokuar nga flakët”, tha ai.

Deri më sot vendi është përballur me 59 zjarre, me 961 zjarre të vogla, përfshirë zjarre në banesa, biznese apo sipërfaqe të kufizuara.

Përgjatë muajve qershor dhe korrik, policia ka identifikuar dhe proceduar 120 persona, për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia. Ndër ta janë arrestuar 21 autorë të këtyre veprave.

Hoxha apeloi prokuroritë e rretheve që vepra penale e zjarrvënies së qëllimshme të trajtohet me përgjegjësinë që jep ligji.

“Askush nuk duhet të mbetet pa mbajtur përgjegjësi kur rrezikon jetën, pronën dhe natyrën”, tha ai.

Ministrat u shprehën se në raste të shfaqjes së zjarreve duhet reagim i menjëhershëm për të parandaluar çdo situatë të mundshme. Korriku sipas tyre shënoi një rritje të dukshme në frekuencën e zjarreve dhe autoritetet presin një muaj të vështirë edhe në gusht.

Ndërkohë ministri Vengu vuri theksin edhe te forcimi i zinxhirit të reagimit të shpejtë të emergjencave civile.

Ai tha se do të ndërtohen katër qendra rajonale të emergjencave civile. Po ashtu parashikohet një rritje e kapaciteteve njerëzore të angazhuara në territor përmes ngritjes së rrjetit të vullnetarëve si dhe përfshirje e stërvitjeve dhe programeve për emergjencat civile në kurrikulat e arsimit të ulët dhe të mesëm.

Vengu tha se parashikohet edhe rritja e kapaciteteve përmes rinovimit të flotës dhe blerjes së dy avionëve zjarrfikës për përdorim të dyfishtë./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu