Këshilli i Ministrave ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025-2030 dhe të planit të veprimit 2025 – 2027. Synimi i strategjisë është që të forcohen kapacitetet kombëtare për të identifikuar, parandaluar dhe menaxhuar sulmet kibernetike që janë një kërcënim i vazhdueshëm.
Sipas strategjisë, 67 milionë euro do të investohen për implementimin e teknologjive të avancuara si Inteligjenca Artificiale për zbulimin, parandalimin dhe reagimin ndaj sulmeve kibernetike.
Po ashtu, do të investohet në struktura inteligjente për të parandaluar aktivitetet ekstremiste dhe terroriste në hapësirën digjitale, me qëllim parandalimin e propagandës ekstremiste online.
Vetëm gjatë vitit të shkuar janë regjistruar në vend 971 vepra penale në fushën e krimit kibernetik me rritje prej 44,5% në raport me vitin 2023, kur ishin regjistruar 672 vepra penale të kësaj natyre.
Njoftimi nga Këshilli i Ministrave:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025 – 2030 dhe të planit të saj të veprimit 2025 – 2027.
Vendimi nr.1084, datë 24.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe planit të veprimit 2020 – 2025”, shfuqizohet.
Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në strategji dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu