Këshilli i Ministrave miratoi sot standardet e planit të sigurisë e të elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe standardet e zonave dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës Cannabis për qëllime mjekësore dhe industriale.
Me propozim të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave, miratoi standardet e kërkuar për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Sipas vendimit të bërë publik, parashikohet se “standardet për parcelën e tokës, sipërfaqe e kufizuar e tokës, për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale;
Sakaq Këshilli i Ministrave ka miratuar standardet e tokës dhe kushtet për kushtet e favorshme për rritjen e bimëve kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it.
“Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”; “Ambient i mbrojtur”, një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave; “Ambient i mbyllur”, një mjedis plotësisht kultivues, i mbuluar dhe i izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve, pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial e sisteme kultivuese për parametrat, si: drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira bujqësore dhe të grumbullimit (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave; “Zonë”, tërësia e parcelave të tokës, ku kultivohet bima e cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale; “Terren kultivues ose substrakt kultivues”, një material ose përzierje materialesh, natyrore ose të prodhuara, që siguron mbështetje fizike dhe furnizim me ushqyes për rritjen e bimëve, që mund të përfshijë tokë natyrale, torfë, perlit, vermikulit, fibra kokosi apo substrakte të tjera, që krijojnë kushte të përshtatshme për rritjen e bimëve në një ambient kultivues, duke lejuar rregullimin e lagështisë, ajrimit dhe ushqyesve” thuhet në njoftim.
Gjithashtu sipas vendimit bëhet e ditur se parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë, të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes; përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij; toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO)”.
Gjithashtu vendimi shpreh se në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
“Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura”.
Për monitorimin e këtij procesi, ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara dhe me leje për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.