Këshilli i Ministrave miratoi kushtet për nisjen e negociatave mes shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe kompanive private për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare që do të prodhojë ose përshtasë mjete motorike të posaçme për përdorim ushtarak, të sigurisë dhe emergjencave civile.

Vendimi, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe miratuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në mungesë të kryeministrit Edi Rama, parashikon që “KAYO” të zotërojë jo më pak se 45% të aksioneve në shoqërinë e re. Kontributi i saj përfshin edhe vënien në dispozicion të një pasurie të paluajtshme jo më të vogël se 20 mijë metra katrorë.

Sipas vendimit, partneri privat duhet të angazhohet për një investim minimal prej 15 milionë eurosh dhe punësimin e të paktën 150 personave brenda 3 viteve. Ai duhet gjithashtu të ofrojë linjat teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara në përputhje me nevojat e Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s, si edhe të sigurojë rrjetin e shpërndarjes në rast eksporti.

Kushtet përfshijnë garanci për përfshirjen e “KAYO” në emërimet e administratorëve dhe të paktën gjysmën e anëtarëve të këshillit drejtues apo mbikëqyrës, si dhe të drejtën e vetos për vendime strategjike, në përputhje me ligjin nr.88/2024 për sektorin e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Shoqëria e përbashkët do të jetë e autorizuar të furnizojë Forcat e Armatosura me mjetet e prodhuara, ndërsa strukturat e sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes do të garantojnë ruajtjen e të dhënave teknike dhe sigurinë fizike të ambienteve të prodhimit.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu