Tiranë, 28 maj 2025 – Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që autorizon Korporatën e Investimeve Shqiptare për të zhvilluar një nga pronat publike më simbolike të Tiranës – Pallatin e Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”.

 

Sipas vendimit, Korporata e Investimeve do të veprojë si zhvillues për pasurinë nr. 3/257, në zonën kadastrale 8210, me qëllim realizimin e një projekti investimi të quajtur “Rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë ‘Asllan Rusi’”. Ky “rijetëzim”, sipas dokumentit, përfshin gjithçka: nga shpallja e garës për partner privat, e deri tek prishja e objekteve ekzistuese dhe krijimi i një prone të re, me qëllim zhvillimin sipas interesit të korporatës.

 

Por përtej emërtimit tërheqës, vendimi ngre alarme serioze për mënyrën se si po trajtohen pronat publike në Shqipëri. Në thelb, kemi të bëjmë me një skemë të miratuar ligjërisht për tjetërsimin e pasurive shtetërore, që zhvlerëson çdo proces të mirëfilltë transparence dhe përfshirjeje qytetare.

 

Nga një objekt i trashëgimisë sportive dhe sociale, Pallati “Asllan Rusi” rrezikon të kthehet në një projekt komercial që do të ketë pak ose aspak lidhje me interesin publik. Edhe pse në dokument përmendet fjala “interes publik”, nuk ka asnjë garanci konkrete se ky projekt nuk do përfundojë në ndërtim kullash, qendrash tregtare apo shfrytëzime të tjera private.

 

Vendimi autorizon Korporatën jo vetëm për të zhvilluar, por edhe për të negociuar, shitur, dhënë me qira apo kolateral pronën, pa asnjë kontroll real nga institucionet mbikëqyrëse dhe me fuqi të plotë për të transformuar natyrën e pronës publike.

 

Në kohën kur qindra qytetarë dhe sportistë ankohen për mungesën e hapësirave sportive publike, qeveria zgjedh të shesë atë pak që ka mbetur – dhe këtë herë, me firmën e zv.kryeministres Belinda Balluku “në mungesë dhe me porosi” të kryeministrit.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu