Në mungesë të Kryeministrit, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka firmosur, me porosi të Edi Ramës, vendimin e ri të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e autoriteteve mbikëqyrëse që do të kenë kompetencë ligjore në zbatimin e ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Sipas vendimit, një sërë institucionesh qendrore, financiare dhe profesionale do të kenë rol mbikëqyrës ndaj subjekteve të ndryshme që përfshihen në aktivitetet ekonomike, financiare dhe tregtare, me qëllim forcimin e kontrollit dhe transparencës në qarkullimin e fondeve.

Autoritetet mbikëqyrëse të përcaktuara në vendim

Vendimi përfshin një listë të gjerë autoritetesh, ndër të cilat:

Banka e Shqipërisë, për subjektet bankare, institucionet financiare jobankare, institucionet e pagesave, paratë elektronike, zyrat e këmbimit valutor, unioneve të kursim-kreditit dhe shërbimeve postare të pagesave;

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për bursat, subjektet që tregtojnë tituj financiarë, sigurimet e jetës dhe fondet e pensioneve, si dhe për entitetet që merren me tokena digjitalë e monedha digjitale;

Organet e qeverisjes qendrore, për çdo ent publik që kryen veprime mbi pronën shtetërore;

Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, për kazinotë dhe çdo formë tjetër aktiviteti të lojërave të fatit;

Ministria e Drejtësisë, për noterët, agjentët e pasurive të paluajtshme dhe profesionet e lira që licencon;

Dhoma Kombëtare e Avokatisë, për avokatët;

Ministria përgjegjëse për infrastrukturën, për tregtimin e mjeteve motorike, transportin dhe spedicioni;

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), për agjencitë e udhëtimit, ndërtuesit, tregtarët e metaleve e gurëve të çmuar, këshilltarët tatimorë dhe shoqëritë që ofrojnë shërbime për krijimin ose administrimin e personave juridikë;

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, për audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar;

Ministria e Kulturës, për shitblerjet me ankand të veprave të artit mbi 1 milion lekë;

Drejtoria e Tatimeve, për çdo individ apo biznes që kryen ose pranon pagesa me para fizike mbi 1 milion lekë.

Vendimi shfuqizon aktin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave nr. 343, datë 8 prill 2009, dhe i ngarkon Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse të përcaktuara për zbatimin e tij.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu