
Këshilli i Ministrave i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese relacionin dhe dokumentet zyrtare lidhur me vendimin për shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke argumentuar se ky vendim është një akt administrativ dhe se ankimi i bërë nga Veliaj është paraqitur në organin e gabuar.
Në relacion, qeveria thekson se Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për shqyrtimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, pasi ky i fundit është organ ekzekutiv, jo organ kushtetues. Sipas Këshillit të Ministrave, Veliaj kishte mundësi ta kundërshtonte vendimin në Gjykatën Administrative, në përputhje me ligjin.
Qeveria argumenton se shkarkimi është bazuar në mungesën fizike të Veliajt në detyrë për më shumë se tre muaj, për shkak të masës së arrestit me burg, çka përbën shkak të ligjshëm për përfundimin e mandatit.
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë në fund të muajit tetor nëse do të pranojë kërkesën e Veliajt për pezullimin e vendimit të qeverisë dhe shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Çfarë parashikon projektakti i qeverisë:
- Shkarkimi bazohet në propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, miratuar më 23 shtator 2025.
- Veliaj ndodhet në pamundësi fizike për t’u paraqitur në detyrë që prej 10 shkurtit 2025, për shkak të masës së arrestit me burg.
- Gjykata ka refuzuar heqjen ose zëvendësimin e masës së arrestit.
- Mungesa mbi tre muaj konsiderohet shkak ligjor për shkarkim, sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
- Këshilli Bashkiak ka konstatuar se mungesa e zgjatur dëmton funksionimin e bashkisë dhe interesat e qytetarëve.
- Qeveria thotë se nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit.
Në relacion sqarohen edhe dallimet mes rasteve kur një kryetar bashkie mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese (për shkelje të rënda kushtetuese apo ligjore, sipas nenit 115 të Kushtetutës) dhe rasteve kur çështja duhet ndjekur në gjykatat administrative (për mungesë fizike, dënim penal, etj.).
Qeveria thekson se në këtë rast nuk bëhet fjalë për shkarkim politik sipas Kushtetutës, por për një vendim administrativ të bazuar në fakte juridike të pakundërshtueshme, prandaj Veliaj duhet ta kishte apeluar në gjykatën administrative.
Sipas Këshillit të Ministrave, qëllimi i këtij vendimi është hapja e rrugës për zhvillimin sa më shpejt të zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, për të rikthyer normalitetin në qeverisjen vendore.