Vec subvencioneve të prodhimit fermerët shqiptarë do të mund të marrin grante nga buxheti i shtetit edhe për investimet që ata bëjnë për të zgjeruar aktivitetin e tyre.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cilësoi Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një skemë komplementare e Skemës Kombëtare të Subvencioneve, që është lançuar në fillim të këtij viti, në mbështetje të fermerëve.
Skema Kombëtare e Investimeve, tha Denja sot gjatë një interviste televizive në Euronews, ka në fokus mbështetjen e investimeve në infrastrukturë në sektorë potencial të bujqësisë si në blegtori dhe akuakulturë.
Skema ka një buxhet, i cili për këtë vit fillon me 5 milionë euro, tha ministrja
“Shuma prej 5 milionë euro që ofrohet për të ndihmuar të angazhuarit në bujqësi, blegtori dhe peshkim për të investuar në serra, stalla, mekanikë bujqësore, akuakulturë dhe rrjeta antibreshër, mbështet me financim grant deri në 50% të vlerës së investimit”, u shpreh Denaj.
Synimi ynë theksoi ajo, është t’i japim nxitje potencialit të prodhimit bujqësor që është mjaft i kërkuar nga tregu vendas dhe për eksport.
“Kemi një objektiv të qartë për rritjen e prodhimit bujqësisë si kërkesë e brendshme dhe e tregut të eksporteve, ndaj me politikat tona, do të mbështesim jo vetëm me subvencione kombëtare por edhe me skemë investimesh, ku 50% e investimit është grant. Vlefta për ketë skemë është 5 milionë euro për një periudhë nga tetori deri vitin tjetër në pagesa për fermerët”, theksoi Denaj.
Ministrja tha se, nisja e aplikimeve online fillon më 30 shtator dhe ekspertët e bujqësisë janë në gatishmëri t’i përgjigjen çdo interesi të fermerëve, për dosjet që duhet të dorëzojnë në lidhje me investimet që duan të realizojnë.
Gjithashtu theksoi se, skema e subvencioneve është gjithëpërfshirëse dhe nuk përjashton askënd të aplikojë në Skemën e Investimeve.
Ministrja bëri të ditur se, falë zhvillimit të turizmit është arritur një ritëm rritje e bujqësisë edhe për eksportet edhe për tregun vendas.
Sipas saj, 600 milionë euro eksporte u shënuan në fund të vitit të kaluar ndërsa objektivi është 1 miliardë në 2030, por fakt është rritja e sektorit nga viti në vit.
“Këtë 7 mujor eksportet janë rritur me 17,7 % ndërkohë që rritja e eksporteve në vendet e BE-së shënon 22% rritje. Këto janë shifra që na inkurajojnë për të nxitur sipërmarrjet në bujqësi me qëllim rritjen e eksporteve” tha ajo./Kapitali.al