Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik në qytetin e Elbasanit, duke autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare (KISH) që të koordinojë procesin e identifikimit të pronës shtetërore me interes për realizimin e projekteve investuese në zonën industriale të ish-Kombinatit Metalurgjik.

Ky vendim, i bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, u propozua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe synon kthimin e zonës industriale të Elbasanit në një pol të rëndësishëm zhvillimi dhe investimesh.

Sipas vendimit, KISH do të ketë rolin kryesor në:

Konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë, përmes bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucionet e tjera relevante për sqarimin e të drejtave të pronësisë, kufijve dhe statusit ligjor të pasurive.Negociimin me subjektet private që kanë lidhje juridike me pronat brenda zonës për të sqaruar statusin e pjesës shtetërore. Hartimin e një plani të detajuar qendror të zhvillimit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.Propozimin e një projekti zhvillimi, i cili do të mbulohet financiarisht nga vetë Korporata dhe/ose partnerë privatë.

Vendimi parashikon gjithashtu afate të qarta për institucionet publike që disponojnë të dhëna mbi pronësinë, të cilat janë të detyruara të japin informacionin përkatës brenda 5 ditësh nga marrja e kërkesës me shkrim nga KISH.

Pas përmbushjes së këtyre detyrave, Korporata do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë për të marrë miratimin për fazat e mëtejshme të zhvillimit, në përputhje me vendimin nr. 137, datë 6.3.2024, që rregullon procedurat e dhënies së pronës shtetërore në përdorim nga KISH.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe vetë Korporata e Investimeve Shqiptare.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ky zhvillim i jep një impuls të ri përpjekjeve për rigjallërimin ekonomik të një prej zonave më të rëndësishme industriale në vend, duke e kthyer atë në një pikë tërheqëse për investime strategjike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu