Ndërsa flakët në jug të vendit vijojnë të shkrumbojnë ullishta, banesa dhe ferma, Organizata e Minoritetit Grek në Shqipëri, Omonia, ka zgjedhur të hedhë benzinë mbi zjarr… politikisht. Në një deklaratë të gjatë e të mbushur me tone nacionaliste, Omonia akuzon qeverinë shqiptare se ka lënë qëllimisht “nën pushtetin e zjarreve” zonat ku jeton minoriteti grek, duke i cilësuar flakët si të “provokuara me shkaktar”.

Sipas Omonias, dëmet nuk janë thjesht pasojë e temperaturave të larta, thatësirës apo mungesës së logjistikës zjarrfikëse, por pjesë e një skenari të errët që synon boshatisjen e trevave historike të minoritetit. Në listën e dëmeve, përveç banesave dhe fermave, theksohen edhe kishat ortodokse të përfshira nga flakët – një detaj që organizata e përdor si argument shtesë për “qëllimësinë” e zjarrvënieve.

Deklarata nuk kursen kritikat ndaj autoriteteve, duke kërkuar kompensim urgjent dhe mbështetje prioritare për fermerët e zonës, por mbyllet me një thirrje për “aktivizim politik të përgjegjshëm” për ruajtjen e prezencës së komuniteteve greke. Mes rreshtave, kjo tingëllon më shumë si një mesazh mobilizues elektoral sesa një plan konkret për mbrojtjen nga flakët.

Ndërkohë, ekspertët e mjedisit dhe meteorologët mund të kenë mbetur me gojë hapur nga “zbulimi” i Omonias: se në vend të shkaqeve natyrore dhe neglizhencës institucionale, fajtori i madh është një “dora e fshehtë” e Tiranës.

Nëse ky version nuk ngjit, nuk do të ishte çudi që, në komunikatën e radhës, Omonia të fajësojë shqiptarët edhe për djegiet e pyjeve në Amazonë.

Komentuesit në rrjete sociale nuk e kanë kursyer ironinë, duke pyetur nëse Omonia ka në plan të fajësojë Shqipërinë edhe për vullkanet në Islandë apo stuhitë në Karaibe. Një përdorues madje propozoi që shoqata të pajiset me një glob të madh, për të kuptuar që Shqipëria nuk është përgjegjëse për çdo gjë që ndodh mbi planet.
Në fund të fundit, kur logjika digjet, tymi i teorive qesharake është i vetmi që mbetet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu