“Mijëra kuintal qepë të pashitura në të gjithë Qarkun e Korçës, veçanërisht në Zvirinë, fshat që ka edhe sipërfaqet më të mëdha me këtë kulturë bujqësore”.
Në fshatin Zvirinë këtë vit janë mbjellë 850 hektarë me qepë. Por fermerët ankohen se prodhimi është i gjithi i pashitur.
“Nuk e dimë çfarë ndodhi. Nuk e dimë si është puna. Të mbjellësh 30 dynym dhe të mos shesësh hiç, është kulmi. Punëtorët duan 20 mijë lekë dita. Çfarë të bëjmë, po i hedhim të gjitha. Është për të ikur”, thotë Burbuqe Killo, fermere.
“Nuk e dimë edhe ne çfarë po ndodh, të punosh, të sfilitesh dhe të mos e shesësh… nuk ka kërkesë. Kg tani për momentin është me 180-200 lekë. Në Durrës e Tiranë shitet shtrenjtë, me 1 mijë lekë. U ktheva nga Italia, të ikë prodhimi kështu është gjynah, është skandaloze”, thotë fermerja Halidie Hoxhallari.
Kryeplaku i fshatit Zvirinë, Robert Qeleshi shpjegon se këtë vit çmimi i shitjes për qepën është shumë i ulët. 1 kg qepë sipas tij këtë sezon nuk po shitet më shumë se 20 lekë, ndryshe nga një vit më parë kur çmimi arriti edhe 100 lekë.
“S’ka tregje. Nëse vjet qepa ka filluar që shpejt të tërhiqej në treg dhe me çmime të larta, sivjet s’ka [pasur as treg, as çmim. Çmimi vjet nisi me 800, 900 lekë të vjetra. Sivjet është 200 lekë të vjetra”, shprehet kryeplaku i fshatit Zvirinë, Robert Qeleshi.
Në gjithë Qarkun e Korçës vitin e kaluar janë mbjellë 1170 hektarë qepë, ndërsa këtë vit 100 hektarë më shumë se një vit më parë. /vizionplus.